Avokatja e familjes së Diana Kastratit, Miranda Haxhiu, dhe babai i saj, Gëzim Kastrati, kanë kërkuar zbardhjen e vrasjes së 27-vjeçares dhe vënien e drejtësisë në vend, pas nisjes së procesit gjyqësor ndaj të akuzuarit Adnan Jashari, 15 vjet pas kryerjes së krimit, raporton Ekonomia Online.
Në një prononcim për media pas seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Haxhiu e ka cilësuar procesin si të vonuar, ndërsa ka thënë se do ta përcjellin çdo hap të procedurës. Ajo ka kërkuar gjithashtu që institucionet e drejtësisë të sigurojnë edhe prezencën e të pandehurit në këtë proces, i cili po zhvillohet në mungesë.
“Pas 15 vitesh filloi procesi gjyqësor për vrasjen e Diana Kastratit. Ky proces është proces i vonuar, por ne jemi duke pritur drejtësinë nga organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, andaj sot jemi këtu në mbështetjen profesionale për familjen e të dëmtuarës të viktimës, Diana Kastrati, andaj presim që ky proces të zbardhë këtë vrasje tragjike, e cila ka shkaktuar dhimbje jo vetëm për familjen e Diana Kastratit, por dhimbje për të gjitha familjet e viktimave që sot përballen me këto raste të dhunës dhe raste të cilat janë në rritje e sipër në Republikën e Kosovës. Andaj ne i kemi ofruar mbështetjen tonë profesionale familjes së Diana Kastratit për këtë rast dhe do e ndjekim çdo hap këtë procedurë. Ky gjykim do të zhvillohet në mungesë dhe presim nga drejtësia e Kosovës që të sigurojë edhe prezencën e të pandehurit në këtë procedurë”, tha ajo.
Kurse, babai i Diana Kastratit, Gëzim Kastrati, ka thënë se familja shpreson që procesi të marrë epilogun e merituar, duke theksuar se 15 vjetët e pritjes kanë qenë periudhë e vështirë për familjen dhe të gjithë ata që janë prekur nga rasti.
“Siç e tha edhe avokatja, ky rast pas 15 viteve është një drejtësi e vonuar, por besojmë dhe shpresojmë se do ta marrë epilogun e merituar për të gjitha këto vite, për të gjitha këto vuajtje, për gjithë shkaktarët e vuajtjeve familjare, shoqërisë, vendit të punës, dhe juve si media dhe institucioneve që këta tentojnë të japin drejtësi”, tha ai.
Kastrati ka folur edhe për rastet e vrasjeve të grave në Kosovë, duke thënë se nuk dëshiron të bëjë krahasime mes viktimave, por ka kërkuar që të trajtohen edhe rastet e tjera dhe të mos anashkalohet përgjegjësia e zyrtarëve institucionalë.
“Më vjen keq që unë jam solidarizuar me familjen e Arlinda Zekës. Mirëpo, nuk dua të bëj paralele apo të bëj krahasime, të ngre paralele me gratë me viktimat që po ndodh, që janë 73 apo 67 prej vitit 2010. Mos ta marrim vetëm epilogun e fundit, 8 në këtë vit. Mirëpo, janë raste që po ndodhin, por si pasojë e neglizhencës së personave zyrtarëve të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre, duke ndarë drejtësi apo padrejtësi. Këto raste janë të vështira. Unë sot dhe 15 vite, nëse e shumëzojmë herë 365 ditë, neve na del një numër i madh, i madh i mundimeve dhe i vështirë i jetës dhe procedurës deri më sot. Para një muaji kemi pranuar një thirrje për këtë gjykim. Mirëpo, këto janë raste që unë kam ngritur zërin qysh në vitin 2011. Pas rastit të vajzës sime. Po, edhe para rastit të vajzës sime, 6 muaj jam marrë me këtë çështje. Atëherë s’ka qenë Pallati i Drejtësisë. Ka pasur shtëpi dhe institucione të tjera. Askush nuk më ka pranuar që të flas, të shprehem, të prononcohem për situatën, që të e zgjidhim këtë çështje. Por edhe sot, edhe nesër, nuk do të ndalemi. Inshallah, do Zoti dhe ndalemi këtu rasti, që mbas të komunikojmë, mbas të flasim”, tha ai.
Adnon Jashari akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati, e cila u vra më 18 maj 2011 në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare, teksa po shkonte në fakultet.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 tetor 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Jasharit për veprën penale të vrasjes së rëndë. I akuzuari ndodhet në arrati, ndërsa gjykimi ndaj tij po zhvillohet në mungesë.

