Nje rekord interesant u regjistrua të mërkurën, në ndeshjen Ferizaj-Trepça ’89, të vlefshme për xhiron e 16-të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll.
Referi kryesor i ndeshjes, Alban Shala, i ka akorduar tri penallti në të mirë të ekipit vendas.
Dy nga to (të parën dhe të tretën) i shkaktoi lojtari i ekipit mitrovicas, Guri Hana. Në njërin dhe rastin tjetër, ai e preku topin me dorë.
Penalltinë e tretë (të dytën, sipas radhës) e shkaktoi Erdin Dushi i Trepçës ’89.
Ferizaj ia doli t’i shndërrojë në gola vetëm penalltinë e dytë dhe të tretë. Të parën e mbrojti portieri mitrovicas, Donat Kaciu.
Interesant është fakti se tre 11-metërshat për Ferizajn u gjuajtën nga futbollistë të ndryshëm. Ramush Ramadani e humbi të parin, ndërsa Mateo Panadiq dhe Astrit Fazliu ishin të saktë në dy tjerat.
Pavarësisht rastit unik të tri penalltive, Ferizaj e humbi ndeshjen me rezultat 3 me 2. Golat për Trepçën ’89 i shënuan Albion Pllana, në minutën 24, Egzon Baftiu në të 71-tën dhe Oye Kanmi, në të 73-tën.
Ndeshja “derbi” e dy ekipeve nga fundi i tabelës u karakterizua me situata të tensionuara në mbyllje të lojës, e cila zgjati 102 minuta në tërësi.

