Në gusht të vitit 2019, kryeministri Albin Kurti njoftoi se ‘një vlerë e shtuar po i shtohej Lëvizjes Vetëvendosje”. E kishte fjalën për Haki Abazin, i cili atë periudhë njihej si analist.
Kurti në postimin e tij me të cilin i kishte uruar mirëseardhje Abazit, e kishte ngritur këtë të fundit në piedestal.
Madje, ai kishte saktësuar se “VV nuk ka bërë kompromise për hatër dhe për interes të individëve”.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka lëshuar hapësirën publike për t’u vetëmbyllur në luksin e politikës, as nuk ka bërë kompromise për hatër dhe për interes të individëve por, ka ruajtur me kujdes rrugëtimin e saj të ndërtimit dhe evolucionit, duke u bërë boshti i mendimit politik, që prodhon dhe reflekton, dhe nuk e konsumon oksigjenin e paktë që ka mbetur në hapësirën politike shqiptare”, kishte shkruar ai pas aderimit në VV.
Abazi nuk u ndal me kaq. “Romancën” me Kurtin e vazhdoi edhe më tutje. I dilte në krah shefit në çdo paraqitje televizive.
“Hashim Thaçi dialogonte për interesa personale, Kurti për ato kombëtare”, kishte deklaruar ai dikur.
Pas këtyre servilosjeve pësoi edhe shpërblimi. Në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, Kurti kishte vendosur që Abazin ta bënte numër dy të qeverisë.
Kjo kishte qenë një befasi edhe për vet Abazin.
“Më ka ftuar, kam ardhë prej Shqipërisë, jemi taku dhe më ka tregu për konfiguracionin e qeverisë së tij, bashkë me LDK. Pas krejt konfirmimit për emrat, më është ofru pozita e zëvendëskryeministrit. As nuk e kam pritë, as nuk e kam diskutu, ka qenë befasi, shumë befasi”, ishte shprehur ai.

