Telenews

Florim Morina: Aktakuza nuk është provë faji, një ditë para aktgjykimit në Hagë

Prishtinë, 15 shtator 2026 – Një ditë para shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Florim Morina ka reaguar për procesin gjyqësor, duke shprehur kritika lidhur me provat dhe dëshmitë e paraqitura gjatë procesit.

Morina ka thënë se, nga këndvështrimi juridik, ekziston një hendek mes peshës së akuzave dhe fuqisë bindëse të provave të paraqitura për të lidhur individualisht të akuzuarit me veprat penale për të cilat ngarkohen.

Ai ka theksuar se në të drejtën penale dyshimet, perceptimet apo dëshmitë, besueshmëria e të cilave vihet në pikëpyetje, nuk mund të zëvendësojnë provat. Sipas tij, përgjegjësia penale është individuale dhe fajësia duhet të dëshmohet përtej dyshimit të arsyeshëm.

Në reagimin e tij, Morina ka ngritur pikëpyetje edhe mbi besueshmërinë e disa dëshmitarëve, burimin e informacionit të tyre dhe dëshmitë indirekte. Ai ka vlerësuar se pretendimet për ndikime politike, serbe apo ruse, si dhe për motivime materiale të dëshmitarëve, duhet të mbështeten me prova konkrete dhe t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor.

“Në fund, një aktakuzë nuk është provë e fajësisë. As numri i dëshmitarëve nuk e zëvendëson cilësinë e provës”, ka shkruar Morina.

Ai ka shtuar se, nëse pas përfundimit të procesit mbetet dyshim i arsyeshëm për përgjegjësinë individuale të të akuzuarve, parimi in dubio pro reo kërkon që ky dyshim të interpretohet në favor të tyre.

Morina e ka mbyllur reagimin duke thënë se, nëse gjykata vendos mbi këto parime dhe pa anime politike, pret që me aktgjykim të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Të ngajshme

SHBA i dërgon mesazh të qartë Kosovës: Mbështetje për pavarësinë, kritika për ngërçin institucional

Yllka Gashi

Rekord historik në Japoni, mbi 100 mijë persona kanë kaluar moshën 100 vjeç

Yllka Gashi

Franca shtetasve të vet: Tregoni vigjilencë më 16 shtator, larg tubimeve

Yllka Gashi