Rreth 92 për qind e fëmijëve nga popullata e përgjithshme kanë qenë të gatshëm për të filluar shkollën, në vitin 2025, sipas të dhënave të prezantuara në kuadër të Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2025. Kjo përqindje është rritur nga 76 për qind në vitin 2014 dhe 88 për qind në vitin 2020. Megjithatë, tek fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian është shënuar rënie. Në vitin 2014 gatishmëria për shkollë ishte 54 për qind, në vitin 2020 u rrit në 73 për qind, ndërsa në vitin 2025 ra në 62 për qind.
Të dhënat tregojnë se ky progres nuk ka prekur në të njëjtën masë të gjitha grupet e fëmijëve, u tha të martën, me rastin e prezantimit të Anketës së Treguesve të Shumëfishtë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se të dhënat e Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS) për vitin 2025 tregojnë përparim në fusha që lidhen me shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve.
Në prezantimin e gjetjeve të anketës, Kurti tha se për herë të parë Kosova mund të krahasojë të dhënat e viteve 2014, 2020 dhe 2025, duke krijuar një pasqyrë më të qartë për ndryshimet e shënuara gjatë kësaj periudhe.
“Kosova tashmë ka tri pika krahasimi: viti 2014, viti 2020 dhe viti 2025. Për herë të parë mund ta shohim jo vetëm fotografinë e një çasti, por edhe drejtimin në të cilin po lëviz shoqëria jonë. Dhe të dhënat që prezantohen sot na bëjnë të jemi optimistë të arsyeshëm. Në shumë prej treguesve që lidhen me shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të familjeve, Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm. Kujdesi shëndetësor për nënat gjatë shtatzënisë është pothuajse universal. Përfshirja e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme është më shumë se e dyfishuar, ndërkaq gatishmëria e fëmijëve për fillimin e shkollës ka arritur në nivelin prej 91 për qind. Këto janë rezultate domethënëse. Ky progres tregon se investimet, politikat publike dhe puna e institucioneve po japin rezultate”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se, pavarësisht përparimit të evidentuar, mbeten fusha ku nevojitet punë e mëtejshme. Sipas tij, synimi duhet të jetë që rezultatet pozitive të përfshijnë çdo fëmijë dhe familje në Kosovë.
“Por të dhënat na tregojnë njëkohësisht se puna jonë assesi nuk përfundon këtu. Ende ka dallime që duhet t’i zvogëlojmë dhe fusha në të cilat mundemi dhe duhet të ecim më shpejt. Synimi ynë duhet të jetë që përparimi që po shohim sot të shtrihet te secili fëmijë, te secila familje dhe në çdo pjesë të vendit tonë. Detyra që kemi përpara është që progresi të jetë gjithnjë më i madh dhe të arrijë te të gjithë. Prandaj, si qeveri, mirëqenien e fëmijëve dhe të familjeve e kemi vendosur në qendër të politikave tona publike. Kemi vendosur shtesat për fëmijë dhe mbështetjen për nënat lehona. Kemi rritur dhe zgjeruar këtë mbështetje ndër vite, kemi investuar në edukimin në fëmijërinë e hershme, kemi mbështetur programe për zhvillimin dhe ndërhyrjen e hershme dhe kemi krijuar më shumë mundësi për të rinjtë përmes politikave të punësimit dhe të aftësimit”, tha Kurti.
Ndërkaq, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, tha se rezultatet e MICS-it dëshmojnë përparim të rëndësishëm për fëmijët në Kosovë, por njëkohësisht tregojnë edhe fushat ku vazhdojnë të ekzistojnë boshllëqe.
“Ka një progres të vërtetë për fëmijët në Kosovë me të cilin mund të jemi më se krenarë. Dhe dua që ju, kur t’i shihni përmirësimet, të shihni që kjo është dëshmi e zgjedhjeve që keni bërë për të arritur rezultate për fëmijët. Le të bëhet kjo një inkurajim, le t’i udhëzojë veprimet tuaja në të ardhmen. Unë shoh këtu shumë kolegë nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, i falënderoj të gjithë, por edhe shumë partnerë nga shoqëria civile punojnë fort. Kur i shihni këto grafika, ndani kohë për të festuar me ekipet tuaja për progresin e arritur për fëmijët. Dhe numri tre, MICS na tregon qartë ku janë boshllëqet, ku duhet vëmendje urgjente. Progresi është i vërtetë, por nuk është i barabartë për secilin fëmijë. Le t’i udhëzojnë këto të dhëna hapat tuaj në të ardhmen. Dhe UNICEF-i, si partner i përkushtuar, do të ecë në këtë rrugëtim me të gjithë ju, për t’i kthyer dëshmitë në vendime, vendimet në veprime dhe veprimet në rezultate për fëmijët”, tha Vashchenko.

