Shpesh stadiumet janë kthyer në arena dhune. Këtë herë nuk ishin tifozët ata që shkaktuan skandalin, por pikërisht një futbollist.
Fjala është për uruguajanin Mario Gonzalez, që pati një reagim brutal pas një konflikti që ndodh rëndom në fushë.
Ishte një finale e Kupës Litorale në Uruguaj, mes Paisandu Interior dhe Soriano Kapital.
Fillimisht, Gonzalez shkaktoi një ndërhyrje të gabuar ndaj një kundërshtari duke e goditur pa dashje në kokë, ndërsa më pas reagoi pasi u rrethua nga lojtarët kundërshtarë.
Gjithsesi, kulmi arriti kur njëri nga futbollistët rivalë, Enzo Eçeveste, e kapi nga qafa dhe e tërhoqi, gjesti që Gonzalez iu përgjigj me një grusht.
Lojtari tjetër u rrëzua përtokë, edhe nga forca e grushtit, por edhe ngaqë nuk e priste.
Për Eçevesten pati shqetësim të madh, ndërsa I dëmtuari I pari nuk pati më vëmendje.
Megjithatë, vetë Eçeveste deklaroi më vonë se nuk kishte asnjë problem dhe se mendonte për ndeshjen e radhës.
Siç kuptohet, Mario Gonzalez u përjashtua dhe pritet të marrë një dënim të rëndë, ndoshta përjashtim nga futbolli për këtë sezon.