Telenews

Gërvalla: Përsëritja e zgjedhjeve po e humbet kuptimin, duhet të gjejmë zgjidhje

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se Qeveria po përpiqet të arrijë një marrëveshje me opozitën për zhvillimet aktuale politike, me qëllim që të shmangen bllokadat e mëtejshme dhe zgjedhjet e reja, raporton Ekonomia Online.

Gërvalla ka deklaruar se këtë herë kanë vendosur që ta dëgjojnë shqetësimin e opozitës dhe të merren vesh për të gjitha çështjet që në fillim.

“Sa i përket zhvillimeve aktuale politike për të cilat pyeti zonja, ne e kemi bërë të qartë që përpiqemi të bëjmë një marrëveshje, sepse e kaluara na ka treguar që kur po i bëjmë hapat paraprakisht, atëherë opozita po na thotë që “ju tani e keni kryer, çfarë po doni me neve?”. Këtë herë kemi vendosur që ta dëgjojmë shqetësimin e opozitës edhe të merremi vesh për të gjitha që në fillim, me qëllim që të mos kemi ngecje, me qëllim që të mos kemi bllokada të mëtejshme”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka theksuar se, sipas saj, askush nuk duhet të jetë i interesuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, duke shtuar se qytetarët e Kosovës e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre.

“Sinqerisht, askush në vendin tonë nuk është dhe nuk do të duhej të ishte i interesuar që të shkojmë në zgjedhje të reja, sepse përsëritja e vazhdueshme e zgjedhjeve sincerisht po e humbet kuptimin e vet. Qytetarët e Republikës së Kosovës në mënyrë të përsëritur e kanë shprehur vullnetin e tyre, e kanë kryer detyrën e tyre dhe prandaj është e domosdoshme që të merremi vesh me njëri-tjetrin edhe të gjejmë një zgjidhje për një me president konsensual edhe me presidentin konsensual të ecim përpara”, është shprehur ajo.

Gërvalla ka thënë se është optimiste se do të gjendet një zgjidhje, pavarësisht, siç tha ajo, zhurmës dhe kundërshtimeve.

“Jemi shumë optimiste që zgjidhjen do ta gjejmë. E kuptoj unë që ka zhurmë, e kuptoj unë që ka edhe të tillë që nuk e duan zgjidhjen, po që nuk e dinë se çfarë duan. Mirëpo, jam shumë e bindur që do të kemi një sukses edhe një zhvillim të mirë, i cili do na mundësojë të punojmë më tej dhe të çojmë edhe më tej reformat për të cilat jemi zotuar”, ka deklaruar Gërvalla.

Duke folur për veprimet e opozitës në Kuvend, Gërvalla ka thënë se politika duhet të bëhet përmes mjeteve të ndryshme, por gjithmonë duhet të ekzistojë një kauzë që i shërbehet.

“Shikoni, politika bëhet me mjetet e ndryshme. Është e rëndësishme që të mos e humbasim arsyen në asnjë prej aksioneve tona, por mbi të gjitha për zgjedhjen e mjeteve me të cilat bëjmë politikë, duhet ta dimë se për çfarë po i zgjedhim ato mjetet. Mendoj që në bazë të secilit veprim jashtë parlamentit, duhet të jemi të sigurtë se cilës kauzë po i shërbejmë. Veprime të tilla pa kauzë tregojnë një çoroditje të jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka rrëfyer edhe situatën e krijuar në Kuvend, duke thënë se kishte kërkuar që palët të uleshin dhe të diskutonin për një zgjidhje.

“Prandaj, unë u mundova edhe atë ditë në brenda sallës së Kuvendit, në një situatë jashtëzakonisht të zhurmshme, u mundova të kontribuoj që t’ju thëm: “Zgjidhja gjendet në tavolinë, ejani ulemi, bisedojmë”. Mirëpo, nuk e pata atë përshtypjen që dikush ishte në kërkim të zgjidhjes”, është shprehur Gërvalla.

Ajo ka thënë se opozita kishte zgjedhur të bënte zhurmë, duke shtuar se nuk e gjykon një veprim të tillë.

“Donin të bënin zhurmë, është ok, opozita është opozitë. Unë nuk e gjykoj askënd. Për fat të mirë ishte edhe nxehtë, pra freskimi me ujë nuk është që ishte ndonjë dëm shumë i madh”, ka deklaruar Gërvalla.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë ka bërë thirrje për seriozitet dhe gjetjen e një zgjidhjeje, duke thënë se edhe qytetarët, sipas saj, kërkojnë shmangien e zgjedhjeve të përsëritura.

“Mirëpo, shumë e rëndësishme është që të gjithë kemi familje, të gjithë kemi rreth shoqëror, rreth familiar dhe jam e bindur që ashtu si neve rrethi ynë shoqëror na thotë “aman gjeni një zgjidhje sepse nuk janë zgjidhje zgjedhjet e përsëritura”, ashtu edhe opozitës ia përcjellin të njëjtin mesazh. Prandaj ka ardhur koha që të gjithë bashkë të tregojmë seriozitet”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka shprehur shpresën se LDK-ja do të kontribuojë në zgjedhjen e një presidenti konsensual.

“Unë po shpresoj që Lidhja Demokratike e Kosovës do të kontribuojë në zgjedhjen e një me presidenti konsensual, i cili ka qenë edhe kërkesa jonë e përbashkët që në bisedimet që i kemi bërë në fillim të këtij viti, mirëpo nuk kemi pasur sukses. Tani e kemi shansin të tregojmë seriozitet dhe të kemi sukses”, ka deklaruar ajo.

Duke folur për refuzimin e ofertës nga LDK-ja, Gërvalla ka thënë se informacionin për këtë e kishte marrë njësoj sikurse të tjerët.

“Nuk thashë unë që ishte i pritshëm për mua refuzimi. Unë e kam marrë informacionin dje, ashtu siç e keni marrë të gjithë ju. E kam lexuar me kujdes, e kam lexuar madje dhe dëgjuar reagimin disa herë, sepse doja t’i kuptoja edhe fjalët mes rreshtave”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se, pavarësisht refuzimit, dëshiron të besojë se ekziston një bazë e mirë për të gjetur zgjidhje.

“Edhe po dua të besoj, sepse jam njeri optimist nga natyra, po dua të besoj që kemi një bazë të mirë. Nuk kemi arsye të bllokojmë zhvillimin e shtetit tonë, përkundrazi kemi shumë arsye për të ecur përpara”, është shprehur Gërvalla.

Sipas saj, opozita duhet të fokusohet në tema, propozime dhe zgjidhje reale në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë besimin e qytetarëve.

“Dhe demokracia këtë ka: katër vjet dikush është në pushtet, dikush është në opozitë. Gjatë kohës që je në opozitë, punon shumë me qëllim që katërvjeçarin e ardhshëm të kesh mundësi të vish në pushtet. Mirëpo, puna duhet të jetë serioze, puna duhet të jetë e bazuar në tema, në propozime, në zgjidhje reale, me qëllim që qytetari i cili herën e kaluar s’ta ka dhënë votën, këtë herë të ketë besim dhe të ta japë”, ka deklaruar Gërvalla.

Në fund, Gërvalla ka përsëritur se mbetet optimiste se do të gjendet një zgjidhje politike.

“Edhe një herë jam optimiste, unë nuk e di se unë nuk mund ta parashikoj të ardhmen, mirëpo jam optimiste që duke i dëgjuar qytetarët të cilët flasin vazhdimisht me ne e kemi kuptuar të gjithë dhe aq më tepër partitë opozitare që na duhet një zgjidhje”, ka përfunduar ajo.

 

Të ngajshme

Arrestohet gjyqtari Avdurrahman Gashi, jepen detaje pse ndodhi prangosja e tij!

Yllka Gashi

U aksidentuan rrugës për në Gjermani, sot varrosen tre mërgimtarët nga Kosova

Yllka Gashi

Trajneri i famshëm botëror i shkon në zyre Agim Ademit

Yllka Gashi