Telenews

Kosova një hap më afër standardeve evropiane të aviacionit, AAC nënshkruan marrëveshje me EASA-n

Është organizuar ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjeve së Punës ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Arjanit Islami, tha se sot është një ditë e rëndësishme për Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës dhe për zhvillimin e mëtejshëm të aviacionit civil në Republikën e Kosovës.

Ai tha se me nënshkrimin e sotëm po formalizohen dy marrëveshje të punës me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit, EASA.

“E para është marrëveshja e punës për bashkëpunimin të përgjithshëm midis EASA-s dhe AAC-së, ndërsa e dytë marrëveshja e punës për mbledhjen dhe shkëmbimin e informatave… informacioneve mbi sigurinë e avionëve në kuadër të programit të BE-së për inspektimet në platformë”, tha Islami.

Të dyja marrëveshjet janë nënshkruar më tre gusht nga drejtori ekzekutiv i EASA-s, Florian Guillermet, ndërsa me nënshkrimin e sotëm nga AAC-ja, ato bëhen operative.

Islami tha se rëndësia e këtyre marrëveshjeve duhet parë edhe në kontekstin më të gjerë të marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit, ECAA-së.

“Kosova përmes Hapësirës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit ka marrë përsipër zbatimin gradual të legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e aviacionit. Dy marrëveshjet që po nënshkruhen sot e mbështesin drejtpërdrejt këtë proces, veçanërisht zbatimin e acquis të BE-së në fushën e sigurisë së aviacionit dhe e lidhin AAC-në drejtpërdrejt me mekanizmat, platformat dhe mjetet e EASA-s”, tha ai.

Sipas tij, një zhvillim veçanërisht i rëndësishëm është përfshirja e AAC-së në strukturat konsultative dhe teknike të EASA-s.

“AAC-ja do të ketë mundësinë të emërojë vëzhgues në trupat këshillues dhe teknik të shteteve anëtare të EASA-s, një mundësi që tashmë e kanë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përmes kësaj pjesëmarrjeje do të jemi më afër zhvillimeve rregullatore evropiane dhe do të kemi mundësi përmes ekspertëve tanë të kontribuojmë në diskutimet dhe proceset teknike që mbështesin zhvillimin e rregullave dhe aktiviteteve të promovimit të sigurisë”, tha Islami.

Ai theksoi se kjo marrëveshje sjell edhe përgjegjësi të reja dhe konkrete për AAC-në.

“AAC-ja do t’i i nënshtrohet monitorimit të vazhdueshëm dhe inspektimeve të standardizimit nga EASA. Do të duhet të dëshmojmë zbatimin me efektivitet të kërkesave evropiane, të ofrojmë informacione të nevojshme për mbikëqyrjen e sigurisë dhe kur identifikohen mangësi, të ndërmarrim dhe zbatojmë masat korrigjuese brenda afateve të parashikuara. Prandaj nënshkrimin e sotëm e shohim jo vetëm si një arritje, por edhe si fillimin e një faze të re të përgjegjësisë institucionale për AAC-në. Nga sot do të jemi shumë më drejtpërdrejt të lidhur me mekanizmat përmes të cilëve EASA monitoron zbatimin e standardeve të sigurisë së aviacionit”, tha Islami.

Në këtë ceremoni ka folur edhe ministri në detyrë i Infrastrukturws dhe Transportit, Dimal Basha, i cili tha se është një kënaqësi e veçantë që janë së bashku në këtë moment të rëndësishëm për historinë e aviacionit civil të Kosovës.

“Nënshkrimi i dy marrëveshjeve të punës ndërmjet Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit, është konfirmimi i rëndësishëm se aviacioni ynë civil po ecën me hapa të sigurt drejt sistemit evropian”, tha Basha.

Ai tha se transporti ajror në Kosovë është në rritje të vazhdueshme dhe pjesëmarrja e kompanive ajrore nga Bashkimi Evropian në tregun kosovar është gjithnjë e më e madhe.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e kupton mirë se sa i rëndësishëm është transporti ajror për vendin dhe qytetarët tanë, për lidhjen me diasporën, për zhvillimin e ekonomisë dhe për avancimin tonë drejt integrimit tonë evropian. Por rritja e tregut duhet të shoqërohet gjithmonë me një autoritet rregullator të fortë, profesional, por edhe funksional”, tha ai.

Basha theksoi se përmes këtyre marrëveshjeve, Autoriteti i Aviacionit Civil lidhet drejtpërdrejt me mekanizmat e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit dhe i nënshtrohet monitorimit dhe inspektimeve sipas standardeve evropiane të sigurisë.

“Pra, përveçse, siç e tha drejtori, një mundësi e re, kjo marrëveshje përkthehet edhe në siguri më të lartë, por gjithashtu edhe në një përgjegjësi shtesë për aviacionin civil. Si ministër i linjës, jemi i gatshëm që me përkushtim maksimal të angazhohemi që Autoriteti i Aviacionit Civil të jetë sa më profesional dhe funksional në të gjitha aspektet dhe për këtë, Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit do ta ketë gjithmonë gatishmërinë tonë për bashkëpunim”, tha Basha.

Ai tha se nga tani e tutje, kur Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit të bëjë vlerësimin ndaj Autoritetit të Aviacionit Civil, synohet që rezultatet të dëshmojnë për një institucion profesional, funksional dhe të gatshëm për të garantuar sigurinë e aviacionit në përputhje me standardet më të larta evropiane.

“Nëse nga këto vlerësime dalin gjetje që kërkojnë veprime nga ministria apo nga institucionet e tjera, ne do t’i adresojmë ato me shumë përgjegjësi dhe pa vonesë”, tha ai.

Në fund, Basha uroi të gjithë stafin e Autoritetit të Aviacionit Civil për këtë arritje të rëndësishme dhe falënderoi Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit, Komisionin Evropian dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

 

Të ngajshme

Arrestohet gjyqtari Avdurrahman Gashi, jepen detaje pse ndodhi prangosja e tij!

Yllka Gashi

U aksidentuan rrugës për në Gjermani, sot varrosen tre mërgimtarët nga Kosova

Yllka Gashi

Trajneri i famshëm botëror i shkon në zyre Agim Ademit

Yllka Gashi