Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka shprehur mbështetjen e shtetit francez për organizimin e Lojërave Mesdhetare nga Kosova, duke e cilësuar këtë ngjarje si një mundësi të rëndësishme për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Guerot tha se Franca është e gatshme të ndajë përvojën e saj me Kosovën dhe të ndihmojë në procesin e organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
Ambasadori francez theksoi se, ndonëse do të jenë lojërat e Kosovës, Franca është e gatshme të ndajë përvojën e saj në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive, duke kujtuar suksesin e organizimit të Lojërave Olimpike.
“Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Kosovën për organizimin e Lojërave Mesdhetare. Kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për Kosovën që të prezantojë veten para pjesës tjetër të botës dhe të bëjë brendimin e vetes. Do të jenë lojërat e Kosovës, por ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë me ta, me Kosovën, sepse edhe ne kemi pritur Lojëra Olimpike që ishin një sukses. Ne jemi të gatshëm të punojmë për ta mbështetur Kosovën”, tha Guerot.
Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, ngjarja më e madhe sportive që është organizuar ndonjëherë në vend. Garat do të zhvillohen në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera, ndërsa organizimi i tyre pritet të shoqërohet me investime të konsiderueshme në infrastrukturën sportive dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.


