Telenews

Hondurasi thotë se ka “vetëm një Kinë” teksa ndërprenë marrëdhëniet me Tajvanin

Vendi amerikano-latin, Hondurasi, ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin, duke thënë se njeh “vetëm një Kinë në botë”.

Hondurasi është aleati i nëntë diplomatik që Taipei ka humbur ndaj Pekinit, që kur presidenti pro-pavarësisë Tsai Ing-wen mori detyrën për herë të parë në maj të 2016-ës. Ky veprim e lë Tajvanin të njohur nga vetëm 13 shtete sovrane.

“Qeveria e Republikës së Hondurasit njeh ekzistencën e vetëm një Kine në botë dhe se qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri legjitime që përfaqëson të gjithë Kinën. Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez dhe që nga sot, qeveria e Hondurasit ka njoftuar Tajvanin për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, duke u zotuar të mos ketë asnjë marrëdhënie apo kontakt zyrtar me Tajvanin”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Kina tha se ministri i saj i Jashtëm, Qin Gang dhe ministri i jashtëm i Hondurasit, Eduardo Enrique Reina, nënshkruan marrëveshjen për njohjen diplomatike në Pekin, duke i dhënë fund marrëdhënieve me Tajvanin që datojnë që nga vitet 1940.

Njoftimi nga ministria e jashtme e Hondurasit vjen në mes të tensioneve në rritje midis Pekinit dhe Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë edhe rritjen e vetëbesimit të Kinës ndaj Tajvanit të vetëqeverisur.

Kina dhe Tajvani janë përfshirë në një betejë për njohje diplomatike që kur palët u ndanë mes luftës civile në 1949, me Pekinin që shpenzoi miliarda për të fituar njohjen për parimin “Një Kinë”.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj, që do të vihet nën kontrollin e saj me forcë nëse është e nevojshme, dhe refuzon shumicën e kontakteve me vendet që mbajnë lidhje formale me demokracinë ishullore, transmeton Klankosova.tv.

Pavarësisht fushatës së izolimit të Kinës, Tajvani ruan lidhje të forta informale me më shumë se 100 vende të tjera, më e rëndësishmja me SHBA-në. SHBA nuk ka marrëdhënie diplomatike me Tajvanin, por ka pohuar se Taipei është një partner i rëndësishëm në Indo-Paqësorin.

Të ngajshme

Protestat në Francë, dëmet deri në 1.2 miliardë euro

Rrezarta Ramaj

Austria ndan nga 500 euro për çdo fëmijë të lindur nga viti 2027 –

KushtrimGuraj

Kriza e financimit detyron OKB-në të ndërpresë ndihmat për 500 mijë njerëz në Gaza –

KushtrimGuraj