Telenews

Hoti: Mbes i përkushtuar që familja të jetë në qendër të politikave tona

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka organizuar një sërë aktivitetesh me fokus mbështetjen e familjes, mbrojtjen e fëmijëve dhe promovimin e vlerave familjare.

Në kuadër të aktivitetit janë prezantuar të dhëna për mbështetjen ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror, ndërsa janë ndarë edhe mirënjohje për gazetarët dhe mbuluesit e temave sociale për kontributin në promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe vlerave familjare.

Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se familja mbetet në qendër të politikave institucionale, raporton ekonomiaonline, transmeton Klankosova.tv.

“Familja është vendi ku marrim mbështetjen e parë dhe vlerat që na përcjellin gjatë gjithë jetës. Pikërisht për këtë sot kemi zgjedhur që të jemi së bashku në një atmosferë festive, me prindër, fëmijë e gjyshër për të festuar. Si ministër i MPFVLÇ-së mbetem i përkushtuar që familja të jetë gjithmonë në qendër të politikave tona, që çdo familje në Kosovë të ndihet e mbështetur dhe e vlerësuar”, tha ai.

Drejtoresha e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezehat Ramadani Salihu, tha se organizata që nga viti 1999 ka ofruar mbështetje për qindra fëmijë dhe familje.

“Ne si SOS Fshatrat e Fëmijëve kemi ofruar që nga viti 1999 mbështetje për 498 foshnje të braktisura dhe mbi 150 fëmijë që kanë humbur kujdesin prindëror. Momentalisht ofrojmë shërbime psiko-sociale dhe strehim për 40 fëmijë pa kujdes prindëror, ndërsa rreth 1000 përfitues në familje marrin shërbime parandaluese psiko-sociale dhe arsimore”, tha ajo.

Drejtoresha e Organizatës për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), Ibadete Krasniqi, tha se familjet strehuese kanë luajtur rol të rëndësishëm për fëmijët pa përkujdesje prindërore.

“Në këto vite kanë kaluar më shumë se 150 familje strehuese që janë bërë familje për këta fëmijë. Sot, në këtë ditë, ndalemi për të reflektuar mbi vlerat më të rëndësishme të jetës sonë, që është familja. Kjo ditë na përkujton edhe përgjegjësinë që e kemi ndaj fëmijëve që nuk kanë pasur mundësi të rriten pranë familjeve të tyre biologjike. Për këta fëmijë, strehimi familjar është një shans i dytë për jetë, përkatësi dhe shpresë”, tha ajo.

Të ngajshme

Gërvalla: Fuqizimi i familjes është përgjegjësi shtetërore

Valjeta Turkaj

Abdixhiku reagon për vdekjen e Alush Gashit: Më iku një mik i madh

Valjeta Turkaj

Ndërron jetë Alush Gashi, një nga figurat historike të LDK-së dhe bashkëpunëtor i Ibrahim Rugovës

Valjeta Turkaj