Rekordmeni botëror i maratonës për meshkuj, Kelvin Kiptum nga Kenia ka humbur jetën në një aksident tragjik në vendin e tij. 24 vjeçari u vra së bashku me trajnerin e tij, Gervais Hakizimana nga Ruanda, pasi humbi kontrollin e automjetit gjatë vozitjes në Kaptagat, në orën 23:00 me kohën lokale.
Presidenti i Atletikës Botërore, Sebastian Coe, shkroi në X: “Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar kur mësuam për humbjen e Kelvin Kiptum dhe trajnerit të tij, Gervais Hakizimana. Në emër të të gjithë Atletikës Botërore, ne u dërgojmë ngushëllimet tona familjeve, miqve, shokëve të skuadrës dhe kombit kenian”.
“Ishte vetëm në fillim të kësaj jave në Çikago, vendi ku Kelvin vendosi rekordin e tij të jashtëzakonshëm botëror në maratonë, që unë munda të ratifikoja zyrtarisht kohën e tij historike. Një atlet i jashtëzakonshëm që lë një trashëgimi të pabesueshme, do të na mungojë shumë.”
Rekordi botëror i Kiptum në maratonën 2:00:35, i vendosur në Maratonën e Çikagos në tetor të vitit të kaluar, u ratifikua vetëm disa ditë më parë nga ëorld Athletics. 24 vjeçari kishte kaluar vetëm në vrapimin e maratonës nga garat me distanca më të shkurtra një vit përpara se të vendoste atë ritëm rekord.
Ai gjithashtu kishte njoftuar së fundmi planet për t’u bërë atleti i parë që do të vrapojë një maratonë zyrtare në më pak se dy orë, në Roterdam në prill.