Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se vendimet e miratuara më 12 gusht nga Qeveria në detyrë përbëjnë cenim serioz të rendit kushtetues dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Siç thotë IKD, Qeveria, e përbërë nga persona të zgjedhur deputetë, të cilët nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive, ka vazhduar të ushtrojë pushtet sikur të kishte mandat të plotë.
“Parimet e sundimit të ligjit nuk tolerojnë në një shoqëri demokratike që pushteti të ushtrohet duke abuzuar me ligjin. Pushteti duhet të ushtrohet vetëm brenda kufijve që përcaktojnë Kushtetuta dhe ligji.Neni 72 i Kushtetutës është i qartë, deputeti i Kuvendit nuk mund të mbajë post ekzekutiv e as të ushtrojë funksion tjetër ekzekutiv. Kjo dispozitë përcakton papajtueshmëri të drejtpërdrejtë ndërmjet mandatit të deputetit dhe funksionit ekzekutiv. Nga momenti i marrjes së mandatit të deputetit, vazhdimi i ushtrimit të kompetencave qeveritare bie ndesh me ndalesën kushtetuese dhe e vë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të marra”, thuhet në komunikatë.
Tutje, IKD thotë se sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, anëtarët e Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë është dashur të japin dorëheqje nga postet qeveritare para certifikimit të rezultateve.
“Meqë nuk e kanë bërë këtë, vazhdimi i ushtrimit të funksioneve ekzekutive është në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, më 12 gusht, kjo Qeveri zhvilloi mbledhje elektronike dhe mori një varg vendimesh me pasoja juridike, institucionale, pronësore dhe buxhetore. Ajo vendosi për qiradhënie të pronës publike deri në vitin 2033, procedura që lidhen me shpronësimin, ndarje të mjeteve financiare dhe çështje të tjera që prodhojnë pasoja përtej administrimit të zakonshëm. Qytetarët duhet ta kuptojnë qartë, persona që ligji nuk i lejon të vazhdojnë si anëtarë të Qeverisë po marrin vendime në emër të shtetit dhe po krijojnë detyrime që mund të rëndojnë institucionet edhe për shumë vite”.
IKD kërkon që Qeveria të ndërpresë menjëherë çdo vendimmarrje që tejkalon aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara, të pezullojë zbatimin e vendimeve të 12 gushtit dhe t’i nënshtrojë ato një shqyrtimi të plotë juridik.
“Vendimet për komisionet e pranimit dhe çdo procedurë e re emërimi duhet të shfuqizohen pa vonesë”.
“Kosova nuk mund të qeveriset nga njerëz që duan të jenë njëkohësisht deputetë dhe ministra, ligjvënës dhe ekzekutues të ligjit. Heshtja përballë kësaj praktike do ta kthente shkeljen në rregull dhe përjashtimin në mënyrë qeverisjeje. Kushtetuta nuk është pengesë që pushteti mund ta anashkalojë, ajo është kufiri përtej të cilit ushtrimi i pushtetit humb legjitimitetin. Askush, as edhe një Qeveri në detyrë, nuk ka mandat të veprojë jashtë këtij kufiri”.

