Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka kritikuar situatën aktuale në kuvend dhe qeveri, duke e cilësuar atë si shkelje të normave kushtetuese dhe juridike.
Tahiri bëri të ditur se AAK-ja i ka dërguar kërkesë kryesuesit të seancës së kuvendit që, pas kalimit të afatit prej 48-orësh, nesër në ora 11:00 të mbahet seanca, shkruan Indeksonline
Sipas tij, deri tani nuk kanë marrë përgjigje apo ndonjë konsideratë për kërkesën. “Na brengos shumë që shkelja e Kushtetutës, përveç që po ndodh në kuvend, po ndodh edhe më zi në qeveri”, tha Tahiri.
Ai theksoi se Kuvendi aktualisht është jofunksional dhe i uzurpuar, ndërsa kritikoi edhe situatën me ministrat që janë njëkohësisht deputetë. “17 ministra i kemi që janë deputetë dhe shkojnë në zyre në mënyrë antiligjore”, deklaroi ai, duke kërkuar që prokuroria të veprojë për shkak të, siç tha, shkeljes së normave juridike.
Tahiri tha se Aleanca do t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike për ta mbrojtur Kuvendin, të cilin e cilësoi si “tempull të demokracisë”. “Nuk do të ndalemi duke e mbrojtur këtë tempull të demokracisë. Nuk guxon me na mbyllë dera”, tha ai.
Në fund, Tahiri kritikoi edhe sjelljen ndaj deputetëve në seancat e kuvendit, duke thënë se askush nuk mund të vijë në seancë dhe të ofendojë një deputet.

