Telenews

Jasharaj i ‘lutet’ Kurtit: Llafe të bukura për ngritjen ekonomike, e në fund të pusit me paga

Rrahman Jasharaj ka ironizuar me deklaratat e eksponentëve të pushtetit për ngritjen ekonomike, derisa i është “lutur” kryeministrit Albin Kurti e ministrit Hekuran Murati që të plotësojnë kërkesat e SBASHK-ut për ngritjen e pagave.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, përmes një letre publike të hënën, ka thënë se nuk ka mundur të heshtë për një deklaratë të deputetit Armend Muja, i cili tha javën e kaluar se Kosova është “në top katër vendet evropiane për nga rritja ekonomike”.

“Llafe të bukura për ngritjen ekonomike, po unë e kam një lutje”, ka thënë ai. “I lexoj me vëmendje deklaratat e Kryeministrit Kurti e të ministrit Murati lidhur me rritjen ekonomike në pritje se pasi i paskemi punët kaq mirë do të marrin vendim për të realizuar kërkesën, që nuk është vetëm e SBASHK-ut, për ngritje urgjente të vlerës së koeficientit për se paku 30%. Por kjo nuk po ndodh e unë e kuptova se ata flasin ashtu e lavdërohen se puna e do ashtu.”

“Mirëpo nuk munda të hesht duke e lexuar deklaratën e vlerësimin e deputetit Armend Muja për rritjen ekonomike në Kosovë”, tha Jasharaj. “Kjo deklaratë ka bërë që gjithë të punësuarve në arsim, në sektorët tjerë dhe pensionistëve t’u mbetet edhe më shumë hatri në Qeverinë Kurti pse nuk po merret me kërkesat tona legjitime për ngritjen e vlerës së koeficientit, për ngritjen e pensioneve dhe për kthimin e 0.5% për të gjitha vitet e shërbimit ashtu siç ka thënë edhe Kushtetuesja”.

Jasharaj tha se nëse është e vërtetë se Kosova ndodhet në mesin e katër vendeve evropiane me më së shumti rritje ekonomike, atëherë të merren masa për ngritjen e pagave.

“Unë nuk jam ekspert i ekonomisë, por nëse vërtetë është e saktë se qenkemi në top katërshen e vendeve të Evropës e të parët në Ballkanin Perëndimor për nga rritja ekonomike, atëherë e lus deputetin Muja që këtë t’ua thotë Kryeministrit Kurti e ministrit Murati dhe ata të veprojnë. Nuk është mirë të jemi në top katërshen e shteteve të Evropës e të parët në Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike e në fund të pusit me ngritjen e pagave e të pensioneve krahasuar me të gjitha këto shtetet e rajonit e të Ballkanit”, tha Jasharaj.

Të ngajshme

A do të rikthehen tensionet dhe protestat në Kosovë? Kthimi i Ligjit për Specialen në Kuvend nxit reagime të reja –

KushtrimGuraj

Presidentja pritet ta kthejë në Kuvend ligjin për Specialen pas kërkesës së PDK-së –

KushtrimGuraj

Sveçla në Itali, kërkon bashkëpunim për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës –

KushtrimGuraj