Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar këtë pasdite një bashkëbisedim me qytetarët në Dibër me temën “Dibra në rrezik”.
Berisha është shprehur në këto 8 vite asnjë komb tjetër nuk ka humbur pjesëtarët e vet më shumë se i kemi humbur ne shqiptarët.
Ai shtoi se prej vitit 2014 deri më tani janë larguar nga Shqipëria 744 417 shqiptarë.
“Pasi dolëm nga diktatura komuniste, 32 vite më pas, përsëri rreziku qëndron mbi ne si “Shpata e Demokleut”. A jemi sot në rrezik apo po e teprojmë duke shpallur një gjë të tillë? A është Shqipëria në rrezik? A është Dibra në rrezik? Apo është një teprim? Le t’u referohemi fakteve. Një komb që humbet me shpejtësi banorët e tij, anëtarët e tij është në rrezik dhe rrezik të madh kudo. Këto 8 vite asnjë komb tjetër nuk ka humbur pjesëtarët e vet sa i kemi humbur ne shqiptarët. Kjo nga viti 2014 gjer sot me statistika të sigurta të BE, vetëm në zonën e BE janë larguar nga Shqipëria 744 417 shqiptarë. Pa llogaritur sa kanë shkuar në vendet e tjera të botës. Po ju jap një shembull tjetër. Greqia pas Luftës së Dytë Botërore ra në luftë civile. Nuk ka asgjë më të keqe për një komb, 1 milion grekë u larguan. Kurse ne për 8 vite jemi larguar 26-27% e banorëve nga Shqipëria. Jemi në rrudhje të madhe, në shkretim, po ikën rinia, fëmijët, po ikën e ardhmja”, tha Berisha

