Telenews

Kandiq i kërkon BE-së të reagojë ndaj shtrembërimit të fakteve për luftën në Kosovë –

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka kritikuar Serbinë për mohimin dhe shtrembërimin e fakteve të vërtetuara përmes proceseve gjyqësore lidhur me krimet e luftës, duke theksuar se vendimet e gjykatave po zëvendësohen me një të ashtuquajtur “të vërtetë të popullit”.

Në një reagim drejtuar ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, Kandiq ka thënë se, përveç paralajmërimit se glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës është në kundërshtim me vlerat evropiane, duhet të trajtohet edhe praktika e mohimit të krimeve dhe shtrembërimit të fakteve.

Sipas saj, shtrembërimet më të mëdha lidhen me gjenocidin në Srebrenicë dhe viktimat e luftës në Kosovë.

“Përballja e përgjegjshme me të kaluarën kërkon ndërprerjen e këtyre praktikave”, ka theksuar Kandiq.

Ajo ka përmendur dokumentacionin e Fondit për të Drejtën Humanitare, i cili përmban të dhëna për humbjet njerëzore në Kosovë dhe dokumenton fatin individual të viktimave, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Kandiq ka bërë të ditur se Fondi disponon dokumente gjyqësore, dëshmi të familjarëve dhe dëshmitarëve, si dhe incizime video të dëshmive të dhëna para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, lidhur me luftërat e zhvilluara që nga viti 1991.

Sipas saj, këto materiale mund të ndihmojnë edhe Prokurorinë për Krime Lufte të Serbisë, por vetëm nëse ajo vepron në mënyrë të pavarur dhe mbështetet në prova, e jo në udhëzime politike.

“Pavarësia e gjyqësorit, për të cilën insiston BE-ja, duhet të shtrihet edhe në ndjekjen penale të krimeve të luftës”, ka deklaruar ajo.

Në reagimin e saj, Kandiq i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ofrojë mbështetje politike dhe financiare për përfshirjen e studentëve dhe të rinjve në hulumtimin e luftërave të viteve 1990, në mënyrë që ata të kenë mundësi t’i shqyrtojnë provat dhe të krijojnë një qasje kritike ndaj narrativave për të kaluarën.

Në fund, ajo ka paralajmëruar se politika e kujtesës po përdoret si një armë e re lufte, përmes së cilës thellohen ndarjet kombëtare, mohohen krimet dhe glorifikohen autorët e tyre.

Të ngajshme

“Do të dal i pastër si loti”, ekipi i Thaçit shkruan në rrjetet sociale –

KushtrimGuraj

Tronditet Prokurimi i Policisë së Kosovës – drejtori nën hetim për dhjetëra kontrata, IPK kërkon suspendimin e tij –

KushtrimGuraj

Dita e nëntë e protestës për Arlinda Zekajn, protestuesit bllokojnë rrugën para stacionit policor –

KushtrimGuraj