Telenews

Kaos në aeroportet e Francës – Greva e kontrollorëve anulon mbi 1,000 fluturime në nisje të pushimeve verore

Mijëra pasagjerë janë përballur me kaos në aeroportet franceze në ditën e dytë të një greve të kontrollorëve të trafikut ajror, e cila ka shkaktuar anulimin e rreth 1,000 fluturimeve, kryesisht në Paris.

Greva, e organizuar nga dy sindikata të pakicës që kërkojnë kushte më të mira pune dhe më shumë punësime, po përkon me fundin e vitit shkollor dhe nisjen e pushimeve verore në Francë.

Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil (DGAC) raportoi se dje u anuluan 933 fluturime – rreth 10% e totalit – me ndikim të madh në aeroportet e Nicës (50% e fluturimeve) dhe dy aeroportet kryesore të Parisit, Roissy/Charles-de-Gaulle dhe Orly (25%).

Për ditën e sotme, DGAC ka kërkuar që kompanitë ajrore të reduktojnë fluturimet me 40%, duke paralajmëruar një situatë edhe më të tensionuar.
“Kjo është një katastrofë. Kam shumë klientë të bllokuar në të gjithë botën”, deklaroi Laurent Abitbol, president i agjencisë së udhëtimeve Selectour.

Kryeministri francez, Francois Bayrou, u shpreh i indinjuar me situatën: “Jam i shokuar. Grevistët morën peng francezët pikërisht në ditën kur e gjithë bota po niset për pushime.”

Ndikimi i grevës është ndier në të gjithë Evropën. Shoqata Airlines for Europe (A4E) vlerëson se mbi 1,500 fluturime janë anuluar në të gjithë kontinentin në dy ditët e fundit, duke ndikuar në afro 300,000 pasagjerë.
“Kjo grevë është e papranueshme”, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e A4E, Ourania Georgoutsakou. “Po prishen planet e mijëra pushuesve në Francë dhe Evropë.”

Sipas DGAC, dje 26.2% e kontrollorëve të trafikut morën pjesë në grevë – gjithsej 272 nga 1,000.

Autoritetet paralajmërojnë për vonesa dhe anulime të tjera gjatë ditëve në vijim nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Të ngajshme

Yll Limani me emblemën e UÇK-së në koncertin në Gjermani: Zemra e Kosovës është në Hagë

Rrezarta Ramaj

Nga Buroja e Skenderajt në majat e akademisë, Granit Thaqi mbron me sukses doktoratën në Mynih

Rrezarta Ramaj

Berisha Accounting krijon kanal zyrtar për bizneset me njoftime dhe këshilla praktike

Rrezarta Ramaj