Telenews

Katarina Axhanqiq: Unë takohem me Kurtin hapur, të tjerët fshihen

 

Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës Veriore, Katarina Axhanqiq, ka thënë se gjatë 15 ditëve të fundit është takuar dy herë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa për dallim nga shumë politikanë serbë të veriut dhe pjesëve tjera të vendit, të cilët siç u shpreh, takohen fshehurazi me të, ajo tha se një gjë të tillë e bënë hapur dhe publikisht.

Ajo gjatë një interviste bëri të ditur se me kryeministrin Kurti përveç anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KE), kanë biseduar edhe për tema të ndryshme të cilat ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësorë të qytetarëve të veriut.

 

Axhanqiq peticionin e suksesshëm për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore dhe pastaj dështimin e referendumit në veri, i quajti politika të larta.

Sipas saj, komunikimi në mes të institucioneve lokale dhe atyre qendrore është i pashmangshëm dhe duhet të ekzistojë për të mirën e qytetarëve.

“Ka qenë takimi i dytë (me kryeministrin Kurti) në 15 ditët e fundit. Tema konkrete ka qenë që të dëgjojë qëndrimin tonë dhe cka mendojmë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Mendoj se një prej arsyeve kryesore të takimit ishte se (Kurti) dëshiron të dëgjojë të vërtetën nga terreni. Është pra një komunikim ku nga dora e parë dëgjon nevojat e qytetarëve për të ardhmen, krijimin e kushteve më të mira për ata… Nuk kisha dashur të flasë për këtë ( peticionin e suksesshëm dhe referendumin e dështuar në veri). Janë politika të larta. Për mua është prioritet, sepse këtu jam për t’u marrë me përmirësimin e kushteve ekonomike për qytetarët dhe një standard më të mirë jetësorë… çdo dialog, sidomos një i tillë në mes nesh si përfaqësues dhe struktura lokale me strukturat qendrore, qoftë me kryeministrin, apo me ndonjë ministër, duhet të ekzistoj.

 

Komuna dëgjon nevojat e qytetarëve, unë jam personi i parë tek i cili vijnë qytetarët dhe tregojnë problemet e tyre. Ata kërkojnë ndihmë nga ne, ndërsa ne jemi vetëm adresë e cila duhet t’i definojë këto nevoja dhe kërkojë pastaj zgjidhjen e këtyre problemeve përmes pushtetit qendror… Mendoj se ky është komunikimi i duhur, real, i ndershëm dhe i thjeshtë (mes pushtetit qendror dhe qytetarëve… Unë sa di dhe dëgjoj, edhe grupe tjera të qytetarëve nga opsione dhe iniciativa tjera politike shkojnë dhe bisedojnë, me të njëjta këto institucione qendrore, si me ministra të ndryshëm, ashtu edhe me kryeministrin, unë e di këtë. Njerëzit shkojnë, dhe jo vetëm nga këtu, por edhe nga Kosova qendrore, jugore dhe komunikojnë. Tani dallimi është se dikush këto takime i zhvillon publikisht, fotografohet dhe e bënë publike, ndërsa të tjerët, shumica, fshihen”, tha ajo.

 

 

 

 

source

Të ngajshme

Arratisja e Sekiraqes, Haxhiu: Qasja joprofesionale e gjyqtarëve po e trash krimin

Kurti flet me ambasadorin britanik – e falenderon Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje

Kurti: Për 4 vjet krijuam mbi 87 mijë vende të reja pune, buxhetin e rritëm për 1 miliard