Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet S.M. ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30-ditësh.
Sipas kërkesës ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.M. më datë 02.08.2026 rreth orës 01:30 minuta pas mesnate në Gjakovë, saktësisht te hyrja e banesës së dyqanit “V…” me përdorimin e forcës dhe mjetit të rrezikshëm-thikë për të sulmuar jetën dhe trupin e personit tjetër, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të dëmtuarit A.M. në atë mënyrë që ditën kritike, derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në ndërtesën ku gjendet banesa e tij, i pandehuri i afrohet dhe fillimisht i drejtohet me fjalët: “hajde këtu e qiti krejt paret qe i ki” dhe pasi i dëmtuari i përgjigjet: “për çka me ti qit’’ i pandehuri e nxjerr nga xhepi një thikë të cilën ja afron te barku i të dëmtuarit dhe e kanos “qiti paret” ku nga frika e kanosjes, i dëmtuari fillimisht ia dorëzon 20 euro, më pas i pandehuri ka vazhduar ta kanoste duke i thënë: “qiti krejt paret çka i ki” me ç’rast i dëmtuari i ka dorëzuar edhe 30 euro të tjera, i dëmtuari tenton të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa i pandehuri e pengon duke e kapur për qafe, i dëmtuari është liruar duke e shtyrë të pandehurin dhe largohet me vrap, i pandehuri e ndjek dhe në ato momente arrin dëshmitarja E.R. ndërhyn dhe e ndalon të pandehurin, i cili më pas i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët kanosëse: “ti ke me e pagu shtrejt këtë, ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon” dhe më pas i dëmtuari arrin të largohet nga vendi i ngjarjes dhe rastin e raporton në polici, ndërsa i pandehuri largohet në drejtim të panjohur dhe gjendej në arrati, i cili pas punës operative nga zyrtarët policor është arrestuar.
Me këto veprime i pandehuri S.M. ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.
I pandehuri, me vendim të prokurorit të shtetit, që nga data 3 gusht 2026 ndodhet nën masën e ndalimit prej 48-orësh për veprën penale të lartcekura.

