Telenews

Komandanti i KFOR-it: Autorët e sulmit në Banjskë duhet të mbahen përgjegjës, s’duhet të përsëritet

 

 

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutas, e ka cilësuar sulmin ndaj KFOR-it në veri më 29 maj dhe sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, të papranueshëm.

Ai tha se sulme të tilla nuk duhet përsëritur më derisa shtoi se autorët e tyre duhet të mbahen përgjegjës e të sillen para drejtësisë.

I pyetur se a mund të diskutohet rasti i Banjskës me komandën ushtarake serbe, e cila u akuzua se i liroi asetet ushtarake për trajnimin e grupit terrorist, Ulutas tha se “KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe vendorë. Po i diskutojmë të gjitha zhvillimet relevante të sigurisë në rajon”.

Komandanti i KFOR-it theksoi se kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i kryejnë hetimet e nevojshme në mënyrë që të konstatohen të gjitha faktet.

“Pikë së pari, sulmi i 29 majit ndaj trupave të KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës ishin të papranueshme dhe nuk duhet të përsëriten. Autorët e kësaj dhune duhet të mbahen përgjegjës. U kemi bërë thirrje autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që t’i kryejnë hetimet ligjore të nevojshme për t’i konstatuar faktet dhe për t’i sjellë personat përgjegjës para drejtësisë. Të gjitha këto pika u bënë shumë të qarta edhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në rajon në nëntorin e kaluar. Në vazhdën e dhunës, NATO zbarkoi rreth 1,000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh kontingjentit tonë në Kosovë gjatë një dekade. Kjo tregon se NATO është e gatshme që ta ruajë paqen”, tha ai.

Ulutas u shpreh se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë janë të gatshëm të përballen me çdo situatë.

“KFOR-i ka një prani të shpejtë, fleksibile dhe të dukshme në të gjithë Kosovën. Ne mbetemi vigjilentë dhe të përqendruar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të misionit tonë me mandat të OKB-së. Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm që të përballemi me çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë që të operojmë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in”, tha ai.

Ndër të tjera, komandanti i KFOR-it foli edhe për bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë (FSK).

“Ekipi Ndërlidhës dhe Këshillues i NATO-së, i cili është i ndarë nga KFOR-i, ka mandat që të punojë krah për krah me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me mandatin origjinal të FSK-së, si forcë e mbrojtjes civile”, tha ai.

Ulutas e citoi sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, i cili kishte thënë se zbarkimi i FSK-së në veri kërkon pëlqimin e KFOR-it.

“Sa i përket zbarkimit të FSK-së në veri të Kosovës, sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ishte shumë i qartë në këtë pikë gjatë vizitës së tij në Prishtinë, në nëntor. Ai theksoi se “çdo zbarkim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin e KFOR-it”. Ne e mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të këtij zotimi nga Institucionet në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së gjithashtu theksoi se “Ne presim konsultime me kohë për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës ose të Policisë së Kosovës që mund të ketë ndikim në sigurinë rajonale”, tha ai.

Ai theksoi se është në kontakt të rregullt me “përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe”.

“Unë llogaris në bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm, pasi këto kanale të komunikimit mbeten kyçe për ta mbështetur sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për ta ruajtur stabilitetin në rajon”, përfundoi Ulutas.

Komandanti i KFOR-it, ka deklaruar se situata në veri të Kosovës ndonëse në përgjithësi është e qetë, megjithatë mbetet e brishtë.

Ulutas tha se pas rritjes së tensioneve në vitin e kaluar në veri të Kosovës, NATO ka dërguar qindra trupa shtesë, duke katërfishuar praninë e KFOR-it dhe trefishuar numrin e patrullimeve.

“Në përgjithësi, situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Pas rritjes së tensioneve në vitin e kaluar, NATO zbarkoi qindra trupa shtesë. Katërfishuam praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe trefishuam numrin e patrullimeve, përfshirë ato përgjatë vijës së kufirit administrativ. Forca e misionit tonë aktualisht është rreth 4500 trupa, me kontribute nga 28 vende, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Këto janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë ta përmbushë mandatin e tij të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, të ofrojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dihet në mënyrë të paanshme”, u shpreh ai në Dukagjin.

Ndërkohë, Ulutas shtoi se do të vazhdojnë që me përpjekjet e tyre t’i parandalojnë eskalimet. Ai tha se janë të gatshëm që t’i përgjigjen sfidave të mundshme.

“Do të vazhdojmë me përpjekjet tona për t’i parandaluar eskalimet dhe jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke e përshtatur praninë tonë, sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Vazhdojmë që të veprojmë si përgjegjësi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si përgjegjësit e parë dhe të dytë respektivisht, me të cilët bashkëpunojmë dhe koordinojmë në mënyrë të rregullt”, tha Ulutas.

Ulutas ka ritheksuar qëndrimin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor në nëntorin e kaluar se NATO mbështet fuqishëm dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Siç e tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-së gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor në nëntorin e kaluar, “Stabiliteti varet nga të gjitha palët, duke zgjedhur diplomacinë para dhunës. NATO mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Të dyja palët duhet të angazhohen me mirëbesim. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Ndërkohë teksa pyetet se cila është situata e përgjithshme në zonat kufitare me Serbinë, Ulutas thotë se në mënyrë të paanshme KFOR-i po ofron një mjedis të sigurt dhe të qetë.

“Mandati i KFOR-it është i qartë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999: të ofrojë një mjedis të qetë dhe të sigurt pēr të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Trupat e KFOR-it po realizojnë patrullime në mbarë Kosovën, përfshirë patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe patrullimet e sinkronizuara me Forcat e Armatosura Serbe, në secilën anë të vijës së kufirit administrativ”.

Të ngajshme

E rëndë për familjen: Ky është i riu që vdiq pasi ra në kontakt me rrymën duke punuar në Prizren

KushtrimGuraj

BE-ja pranë finalizimit të mjeteve për Ballkanin Perëndimor

KushtrimGuraj

Plani i rritjes, Kosova pritet të përfitojnë këstin e parafinancimit

KushtrimGuraj