Komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Enrico Barduani, së fundmi ka folur për sigurinë në Kosovë dhe në botë si dhe kontributin e KFOR-it në këtë aspekt, raporton Gazeta Sinjali.
Ai ka konsideruar se siguria në Kosovë është më mirë se në të kaluarën.
“Sa i përket sigurisë, në bazë të përvojave të mia të mëparshme, mund të them se gjendja e sigurisë në Kosovë në fakt është e përmirësuar në krahasim me të kaluarën. Kjo është arsyeja pse KFOR-i ka reduktuar praninë e tij me kalimin e kohës.
Më kujtohet se kontingjenti i KFOR-it fillimisht ishte i përbërë nga rreth 50.000 ushtarë të NATO-s, ndërsa sot numri i trupave është rreth 4.500”, ka potencuar Barduani në një intervistë për radio KFOR.
Ani pse ai ka konsideruar se siguria në Kosovë është përmirësuar, komandanti i KFOR-it ka treguar arsyen se pse pavarëssht kësaj KFOR-i ka shtuar numrin e forcave në Kosovë.
“Për fat të keq, sot jetojmë në një botë në të cilën situata e sigurisë po evoluon dhe po përkeqësohet me shpejtësi dhe gjithashtu rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është i përjashtuar nga ky evolucion.
Në këtë kuptim, KFOR-i tashmë ka përshtatur praninë e tij në të gjithë Kosovën, duke përfshirë vendosjen e fundit të forcave rezervë të NATO-s, në mënyrë që të vazhdojë të ekzekutojë siç duhet detyrat e tij dhe të marrë të gjitha aftësitë e nevojshme që kërkon situata në terren”, ka thënë Barduani, përcjell Sinjali.
Mes tjerash, ai ka folur edhe për moton me të cilën do të udhëheqë gjatë mandatit të tij njëvjeçar.
“Kur u emërova si komandant i ri i KFOR-it, pyeta veten se cili ishte elementi më i rëndësishëm i misionit të KFOR-it për mua. Kështu, unë kam zgjedhur këtë moto “Unitas Omnia Vinciť”. Është në latinisht dhe mund ta përkthejmë në anglisht si “Uniteti fiton mbi të gjitha” ose, më mirë, “Uniteti i njerëzve fiton mbi të gjitha”, është shprehur komandanti i KFOR-it në Kosovë.