“Telekom Serbia” njoftoi se ka pranuar vendimin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) të Qeverisë së Kosovës, se kompanisë MTS d.o.o. i është hequr licenca e biznesit për shkak se “një anëtar i menaxhmentit të kompanisë ka pasaportë të lëshuar nga Republika e Serbisë”.
Në mesin e këtyre kompanive është edhe MTS d.o.o. – kompania simotër e operatorit shtetëror të telekomunikacionit të Serbisë, “Telekom Serbia”, që është themeluar më 2015 në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, që Kosova dhe Serbia arritën në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.
Në dokumentet që ka siguruar REL nga ministria kompetente, MTS d.o.o. është regjistruar në Mitrovicë të Veriut si operues në sistemin serb, gjegjësisht në adresë “Mitrovica e Kosovës, Republika e Serbisë”.
Selia e kësaj kompanie është në Mitrovicë të Veriut, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Kjo kompani ka degë edhe në vendbanime të tjera serbe në Kosovë: Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shërpcë dhe Ranillug.
Në anën tjetër, “Telekom Serbia” theksoi se vendimin për heqjen e licencës së biznesit nuk mund të zbatohet sepse është “faktikisht dhe juridikisht është i pabazuar dhe në kundërshtim me parimet, standardet evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare”.
“‘Telekom Serbia’ do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe Metohi që përdorin shërbimet e kompanisë dhe të më shumë se 250 punonjësve”, u tha në njoftim.
Licenca për operim fillimisht i ishte hequr televizionit kombëtar privat, Klan Kosova, pasi në dokumentet e regjistrimit, dy qytete të Kosovës – Peja dhe Gjakova – figuronin si pjesë e Serbisë.
Ministria e Industrisë ka akuzuar Klan Kosovën se ka “shkelur Kushtetutën e Kosovës”, por kjo media ka hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se ka ndodhur një gabim teknik që është përmirësuar.
Klan Kosova më pas iu drejtua Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila më 3 gusht shtyu ekzekutimin e vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. /REL

