380 fermerë të Komunës së Lipjanit janë pajisur me makineri bujqësore subvencione këto të ndara nga buxheti komunal. Pajisjet përbëhen nga frezat, spërkatëse e shpërndarëse plehu, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, tha se subvencionimi ka për qëllim zhvillimin e bujqësisë në Lipjan. Të njëjtën përkrahje e premtoi se do ta vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
“Unë mendoj që kjo lëvizje është që bujqësinë ta avancojmë dhe ta zhvillojnë. Vitet në vazhdim do ta vazhdojmë edhe vitet e ardhshme. Kjo pasuri le të shërbej që të punohet çdo pëllëmbë tokë”, tha Ahmeti.
E drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Rexhep Rexhepi tha se kjo ndihmë është e mirëseardhur për fermerët.
“Fermerët nga sot do ta kenë me të lehtë punën në bujqësi. Kjo do të ishte e pamundur, pa mbështetjen e kryetarit Imri Ahmeti”, tha Rexhepi.
Të lumtur me këtë mbështetje u shprehën edhe bujqit e kësaj ane. Ata falënderuan Komunën për përkrahje.




