Telenews

Komunat kërkojnë ndihmë urgjente pas stuhisë: Dëmet mbi 1 milion euro në Suharekë, shtatë shkolla të dëmtuara në Malishevë

Pas stuhisë së fuqishme që goditi disa komuna të Kosovës, drejtuesit lokalë kanë ngritur alarmin për dëmet e mëdha të shkaktuara në infrastrukturë, shkolla dhe bujqësi, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Qeveria për kompensimin e tyre.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se situata tashmë është stabilizuar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Sipas tij, komuna ka formuar tre komisione për vlerësimin e dëmeve në arsim, bujqësi dhe shëndetësi publike.

Muharremaj bëri të ditur se dëmet më të mëdha janë regjistruar në shkolla, ku vetëm në sektorin e arsimit llogariten rreth 300 mijë euro, ndërsa dëmet totale në komunë pritet të tejkalojnë 1 milion euro.

“Vetëm pas rreth 40 ditësh nis viti i ri shkollor dhe duhet të riparohen kulmet e dëmtuara. Nuk kemi fonde emergjente dhe do t’i drejtohemi Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë për mbështetje”, tha ai.

Ai shtoi se komuna nuk ka buxhet për kompensimin e dëmeve dhe se fermerët po përballen me humbje të mëdha, ndërsa shumë prej tyre nuk besojnë se dëmet do t’u kompensohen.

Edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se komuna vazhdon të vuajë pasojat e reshjeve të vazhdueshme, duke kujtuar se dëme të mëdha kishte pësuar edhe nga përmbytjet e muajit janar.

Sipas tij, raporti për dëmet e mëhershme, në vlerë prej rreth 642 milionë euro, është miratuar në Kuvendin Komunal dhe i është dërguar Qeverisë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje.

Kastrati bëri të ditur se reshjet e fundit kanë dëmtuar shtatë shkolla, duke prekur fasadat, çatitë dhe pullazet, ndërsa dëme janë shkaktuar edhe në ura, rrjetin e kanalizimit, ujërat e zeza dhe në serrat e fermerëve.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se sipas informacioneve të marra nga komunat, më të prekura nga stuhia janë Vitia, Mamusha, Istogu, Rahoveci dhe Suhareka.

Të ngajshme

Arrestohen zyrtarë të MPB-së, dyshohen për keqpërdorim të procedurave për lejeqëndrime të të huajve

KushtrimGuraj

Ka ndërruar jetë shkrimtari dhe afaristi Avdi Aziz Shala

Rrezarta Ramaj

Konfiskohen 114 motoçikleta në rajonin e Prishtinës, masa ndaj 535 ngasësve

Blearta