Marrëveshjet ndërkombëtare të planifikuara për t’u votuar sot në Kuvendin e Kosovës janë shtyrë për seancën tjetër, për shkak të bojkotit nga PDK-ja e AAK-ja.
Mungesa e konsensusit për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka ngjallur reagimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
“Një Kuvend i cili nuk ka kapacitetet e tij të kalojë marrëveshje ndërkombëtare nuk e meriton të vazhdojë”, ka thënë Konjufca.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka thënë Konjufcës se opozita angazhohet për shpërbërjen e kësaj legjislature.
“Ne angazhohemi për ta shpërbërë këtë legjislaturë jofunksionale. Jemi të gatshëm të ulemi, të bisedojmë për datën e zgjedhjeve. Posa të caktohet data e zgjedhjeve dhe shpërbërja e Kuvendit, ne do t’i votojmë këto marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri.
Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se është detyrë e Qeverisë sigurimi i konsensuesit për marrëveshje ndërkombëtare.

