Koreja e Veriut ka lëshuar dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në det të enjten e 29 shtatorit, disa orë pasi zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris, ka përfunduar vizitën në Korenë e Jugut, gjatë së cilës theksoi angazhimin “e hekurt” të vendit të saj mbi sigurinë e aleatëve të saj aziatikë.
Ishte raundi i tretë i lëshimit të raketave nga Koreja e Veriut këtë javë, duke shënuar një ritëm rekord në testimin e armëve, ndërsa vendi përshpejton për të zgjeruar arsenalin e tij duke bërë presion ndaj Uashingtonit që ta pranojë atë si një fuqi bërthamore.
“Ushtria e Koresë së Jugut zbuloi dy raketa balistike me rreze të shkurtër të lëshuara nga Sunchon, provinca e Pyongan-it Jugor, në drejtim të bregut lindor midis orës 20:48 dhe 20:57. Mes mbikëqyrjes dhe vigjilencës së përforcuar, ushtria jonë ruan gatishmërinë e plotë ndërsa punon ngushtë me ShBA-në”, tha shefi i shtabit të përbashkët të Shteteve të Bashkuara.
Harris e ka mbyllur udhëtimin e saj katër-ditor në Azi me një takim me presidentin e Koresë së Jugut Yoon Suk-yeol dhe më një ndalesë në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ) që ndan Gadishullin Korean, ku ajo foli për kërcënimin që vjen nga veriu “gjithnjë e më armiqësor”, shkruan Al Jazeera, transmeton Klankosova.tv.
Uashingtoni ka rreth 28 mijë e 500 trupa të stacionuara në Korenë e Jugut për të ndihmuar në mbrojtjen e saj nga Koreja e Veriut derisa aleatët po kryejnë një stërvitje të përbashkët detar në shkallë të gjerë këtë javë në një shfaqje force.
Ligjvënësit e Koresë së Jugut të informuar nga agjencia e spiunazhit të vendit thanë gjatë kësaj jave se Veriu ka përfunduar përgatitjet për një test bërthamor i cili mund të realizohet midis 16 tetorit dhe 7 nëntorit.

