Telenews

“Kosova e dyta në Evropë”, APK me sukses në inovacionin anti-korrupsion

Republika e Kosovës ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e inovacionit kundër korrupsionit. Nisma e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), “Shkolla për Integritet dhe Parandalim të Korrupsionit: Fuqizimi i të Rinjve për të Ndërtuar një Kulturë të Integritetit”, u përzgjodh ndër pesë projektet më inovative në Evropë dhe pas procesit të votimit nga institucionet pjesëmarrëse të rrjetit, u rendit në vendin e dytë.

Sipas njoftimit, kjo arritje u bë e ditur sot pas vlerësimeve që janë bërë në kuadër të Konferencës së 25-të Vjetore Profesionale dhe Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Evropian kundër Korrupsionit (EPAC) dhe Rrjetit Evropian të Pikave të Kontaktit kundër Korrupsionit (EACN), të mbajtur nga 5 deri më 7 tetor 2026 në Budva të Malit të Zi.

Në konferencë, APK-ja u përfaqësua nga delegacioni i kryesuar nga Drejtori Yll Buleshkaj, së bashku me Udhëheqësin e Divizionit për Sinjalizim, Milot Shala.

Ngjarja mblodhi autoritete anti-korrupsion, organe të mbikëqyrjes së policisë, institucione të BE-së dhe organizata ndërkombëtare për të shkëmbyer përvoja rreth mbrojtjes së interesave financiare të BE-së, Inteligjencës Artificiale dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.

“Ky sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën në inovacionin anti-korrupsion është arritur pasi nisma e APK-së, “Shkolla për Integritet dhe Parandalim të Korrupsionit: Fuqizimi i të Rinjve për të Ndërtuar një Kulturë të Integritetit”, e zbatuar në bashkëpunim me D+, u zgjodh në mesin e 5 projekteve më inovative nga 114 institucione në Evropë. Pas procesit të votimit, projekti u kurorëzua në vendin e dytë nga institucionet pjesëmarrëse të rrjetit”, thuhet në njoftimin e APK-së.

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme u miratua edhe Deklarata e Budvës, e cila thekson rëndësinë e bashkëpunimit praktik kundër korrupsionit dhe shpreh shqetësimin për tendencat e kufizimit të pavarësisë së institucioneve të parandalimit të korrupsionit në disa vende. Deklarata nënvizon rëndësinë e ruajtjes së autonomisë operacionale të këtyre institucioneve dhe të mbrojtjes së sinjalizuesve.

“Përmes kësaj nisme me të cilën Kosova u rendin e dyta në Evropë, APK-ja riafirmon rëndësinë e edukimit të të rinjve si një nga shtyllat e parandalimit të korrupsionit dhe të ndërtimit të një kulture të integritetit në shoqëri”, njofton APK.

Të ngajshme

Pse të moshuarit zgjohen herët?

Rrezarta Ramaj

Rama rreth kandidaturës për kryetar të LDK-së: Kemi demokraci, zgjedhje demokratike

Rrezarta Ramaj

Shtatë kategori të kosovarëve që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për pasaportë dhe letërnjoftim

Rrezarta Ramaj