Telenews

Kreu i ASK-së: Në veri të vendit janë regjistruar qindra qytetarë

Qindra qytetarë nga komuniteti serb në veri të vendit janë regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë që po zhvillohet nga 05.04.2024 e i cili pritet të zgjasë deri më 17.05.2024.

Kreu i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë se në vendbanimet me komunitetin serb në jugun e Kosovës nuk ka telashe rreth regjistrimit ndërsa ka thënë se tashmë edhe në veri të vendit kanë filluar të regjistrohen qytetarët.

“Para se me ardhë këtu i këqyra statistikat, komuniteti serb janë mbi 15 mijë që janë regjistruar aktualisht, në pjesën jugore nuk kemi ndonjë sfidë, Novobërda dhe Shtërpca nuk kanë filluar në të njëjtën kohë por janë duke dalë, komuniteti serb në pjesën jugore është duke marrë pjesë në regjistrim” – ka thënë Kastrati në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, qindra qytetarë u regjistruan në veri, duke përfshirë dy komuna.

“Edhe në veri kanë nisë të dalin, dy komuna, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut. Ka një numër që kanë fillu me u regjistru, janë më shumë se qindra që janë regjistruar po për shkak të presionit permanent, i zëvendësojmë regjistruesit por ka disa qindra që janë regjistruar në veri” – deklaroi Avni Kastrati.

Në anën tjetër, edhe në komunën e Fushë-Kosovës qytetarë nga komuniteti serb po regjistrohen.

Nënkryetari i Komunës, Besnik Osmani, tha se janë takuar me përfaqësues të serbëve lokalë për t’i informuar rreth procesit.

“Po, në Fushë-Kosovë serbët po regjistrohen. Ne kemi vizituar përfaqësuesit e kishës, kemi vizatuar familje, kemi biseduar edhe me përfaqësues politikë të tyre. Ka një regjistrim të mirë të komunitetit serb në komunën e Fushë-Kosovës. Deri më tani nuk ka ndonjë rast që kanë refuzuar të regjistrohen” – ka thënë Osmani./Kallxo.com 

source

Të ngajshme

Normalizohet qarkullimi në pikat kufitare me Serbinë

Sveçla me çiklistët shkojnë në Bërnjak, bëjnë homazhe edhe te pllaka e heroit Enver Zymeri

Lancaster: Aleatët të konsultohen për të avancuar statusin e Kosovës në NATO