Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se iniciuesit e Projektligjit për Fondet Pensionale po synojnë rrënimin e sistemit pensional të vendit.
Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, i ka quajtur “diletantë” nismëtarët e ndryshimeve ligjore në Ligjin për Fondet Pensionale.
Shefi i qeverisë ka thënë se përfituesit kryesorë, dhe më të mëdhenj nga ndryshimet e iniciuara ligjore, janë deputetët që e iniciuan atë.
“As ata që vazhdojnë të punojnë me paga minimale nuk ndihmohen dot përmes rrënimit të sistemit pensional. Ata ndihmohen përmes masës prej 100 euro”, tha fillimisht Kurti.
“Pjesa më e madhe, apo më shumë se gjysma e mjeteve, janë të koncentruara në rreth tetë për qind të atyre që kanë llogari në Trust. Pra, këta kanë gjysmën e mjeteve të akumuluara. 1.2 për qind të individëve kanë një mesatare prej 30 fish më shumë të mjeteve sesa 80 për qind e qytetarëve. Prandaj, këta tetë për qind rrjedhimisht janë ata që kanë sjell propozimin në kuvend dhe janë këta që po manipulojnë rrjetin medial për përmasat e krizës dhe domosdoshmërinë e tërheqjes së mjeteve të Trustit”, deklaroi Kurti.
Ai e quajti diletant Bekim Haxhiun, deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Ky projektligj ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili duke komentuar deklaratën e FMN-së, ka thënë se ‘po të donte FMN-ja t’i shpërndanim për qytetarët dhe nuk do t’i preknim qytetarët e Kosovës’. Ja pra se kush po merret me ekonominë e Kosovës. Është dilitantizëm, por pasojat nuk duhet t’i bartim tek të tjerët”, tha Kurti.

