Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka reaguar pas sulmeve që u janë bërë pjesëtarëve të njësisë ushtarake të KFOR-it gjatë protestave në Zveçan.
Meloni tha se e dënon sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, duke thënë se kjo që ka ndodhur është e papranueshme, shkruan gazeta online Reporteri.net.
”Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë. Dënoj fuqishëm sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it, ku përfshiheshin edhe ushtarë nga kombet e tjera. Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme”, ka shkruar ajo.
Tutje, Meloni tha se nuk do të tolerojnë më sulme ndaj KFOR-it, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga veprimet e njëanshme.
”Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it. Është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet kosovare dhe që të gjitha palët e përfshira menjëherë të bëjnë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve. Angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë. Konfirmoj afërsinë time me ushtrinë italiane dhe mirënjohjen e fortë të qeverisë për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe shpirtin e lavdërueshëm të shërbimit që ata tregojnë në të gjitha rrethanat”, ka deklaruar kryeministrja e Italisë.

