Telenews

Kurti: Mbi 12 mijë viktima të dokumentuara të luftës, Serbisë t’i bëhet trysni që të hapë arkivat

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999. Ai i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që t’i bëjë trysni Serbisë që të hapë arkivat e ushtrisë.

Gjatë lansimit të raportit të IKKL-së, Kurti tha se kjo listë është preliminare dhe do të përditësohet vazhdimisht, duke i kërkuar qytetarëve dhe organizatave që mund të kenë dëshmi për krime të bashkëpunojnë me institutin.

“Sepse pa dokumentim nuk ka kujtesë, pa kujtesë nuk ka drejtësi dhe pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme”, tha Kurti.

Kurti tha se ky raport po publikohet një ditë pasi institucionet nisën gërmimet në Kalludër të Zubin Potokut, pas dyshimeve se aty ekziston një varrezë masive. Sipas tij, kjo është dëshmi se plagët e luftës mbeten të hapura dhe për shumë familje, që ende nuk kanë gjetur më të dashurit e tyre, lufta në ka përfunduar.

Lidhur me gërimet në Zubin Potok, autoritetet kanë arrestuar dy persona.

Sipas kryeministrit në detyrë, për familjet çdo gërmim është shpresë, çdo identifikim është një hap drejt së vërtetës e drejt drejtësisë.

“Përderisa këto gërmime janë rezultat i punës së institucioneve tona, moszbatimi nga Serbia i Deklaratës së Brukselit për të zhdukurit me dhunë, e dakorduar më 2 maj 2023, përkatësisht refuzimi për të hapur arkivat e ushtrisë është dëshmi se shteti fqinj vazhdon t’i ikë drejtësisë për krimet e kryera në vendin tonë gjatë luftës së fundit”, tha Kurti.

“Andaj e përsërisim thirrjen ndaj faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë trysninë ndaj Serbisë, që mes tjerash, të ndryshohet vendimi për klasifikim 30-vjeçar deri më 2044 dhe të hapet arkiva e Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave në mënyrë që të kemi informaciuone për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë”, shtoi ai.

Deklarata e 2 majit parasheh zotime nga Kosova dhe Serbia për zbardhje e fatit të afër 1.600 personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998/99. Në të nuk përmendet konkretisht hapja e arkivave ushtarake apo policore, po aty përmendet fjala “dokumente konfidenciale”.

Kurti tha po ashtu se IKKL-ja ka dokumentar se gjatë luftës janë vrarë 1.047 fëmijë të moshës 0 deri në 17 vjeç, dhe 94 prej tyre kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës.

“Ndërsa ende nuk dihet për fatin e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë”, tha Kurti.

Ata janë pjesë e mbi 1.500 personave, shumica shqiptarë, që vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Sipas raportit, 81.3 për qind e të gjitha viktimave të dokumentuara, janë regjistruar në muajt mars dhe qershor të vitit 1999. Në këtë periudhë, përkatësisht u vranë 9.948 njerëz.

Drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, tha se viktimat e përfshira në listë preliminare kanë qenë të lindur në Kosovë, kanë jetuar ose kanë pasur vendbanim në Kosovë. Ai tha se mbi 200 raste nuk janë përfshirë, pasi ishin vrarë jashtë territorit të Kosovës, por shtoi se kjo nuk ua mohon statusin e viktimës.

Ai tha se janë tri kategori të viktimave, të vrarë në luftë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës.

“Numri i përgjithshëm i të përfshirëve në listë është 13.227 të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës”, tha Hetemi, duke shtuar se 92.5 për qind e kësaj shifre janë vrarë apo 12.230 persona.

Ai tha se numri më i lartë i viktimave, i përket përkatësisë etnike shqiptare, përkatësisht mbi 10 mijë viktima, mbi 1.900 serbë dhe raste e tjera u përkasin komuniteteve të tjera.

Hetemi tha se kanë dokumentuar edhe 997 të vrarë në periudhën e pasluftës, përkatësisht nga 21 qershori 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Të ngajshme

Hoti: Serbia po refuzon të japë informacionet për fatin e babait tim

Yllka Gashi

Hulumtimi i NDI, përqindje e lartë e qytetarëve të shqetësuar me rritjen e çmimeve të produkteve, rrymës dhe korrupsionin

Yllka Gashi

“Zhduket” futbollisti i Lecces, nuk paraqitet në stërvitje që dy javë

Yllka Gashi