Kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka informacione rreth bisedave të publikuara nga Paparaci ndërmjet Milan Radojiçiq dhe shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Kurti, e ka quajtur “luftë hibride”, publikimin e përgjimeve.
“Ju porsa e thatë se në këtë moment ka pasur një përgjim ndaj shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila. Unë kam përshtypjen se këto kohë do të intensifikohet lufta hibride ndaj Kosovës, Qeverisë sonë dhe Grupit tonë parlamentar dhe kryetares Kusari-Lilës. Këtë e kemi parë edhe në të kaluarën. Unë nuk pres shumëçka të re prej atyre të vjetërve të cilët problemin më të madh e kanë që sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pas sundim ligji, rend publik, integritet territorial, nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti.
Sipas përgjimeve të publikuara, Millan Radojiçiq nuk dëshironte të bëhej pengesë për kalimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe për votimin e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë e informonte Mimoza Kusari-Lilën. Një përgjim mes Radoiçiqit dhe Kusari-Lilës dëshmon përpjekjen e shefes së GP të Lëvizjes Vetëvendosje për koordinim me shefin faktik të Listës Serbe.