Telenews

Kurti tregon në çfarë kushte mund të diskutohet për Asociacionin

 

 

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për Marrëveshjen e 19 prillit e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë që sot i bënë 11 vjet që kur u nënshkrua.

Ai thotë se në këtë marrëveshje përfshihej edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili u pasua edhe me një marrëveshje tjetër të vitit 2015. Kurti tha se kompetencat e parapara për Asociacionin sipas të dyja këtyre marrëveshjeve shkelnin rëndë Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Serbia ka vazhduar të shkelë nenet e tjera të kësaj marrëveshje.

“Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi”, shkruan Kurti.

Pas këtyre marrëveshjeve, Kurti thotë se nën qeverisjen e tij vjet u arrit një Marrëveshje e Re Bazike, e cila në njërën anë e sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj Asociacionit.

Në fund Kurti ka renditur disa kushte se për çfarëmund të diskutohet për Asociacionin, duke e vendosur si kusht të parë zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes dhe aneksit të saj.

Postimi i plotë:

Sot bëhen 11 vjet nga Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Thaçi e Daçiq.

Marrëveshja i ka 15 nene ku 6 nenet e para merren me një “Asociacion/Bashkësi të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë”.

Nenet tjera në vijim merren me integrimin e komunitetit serb në institucione të Kosovës, çështjen e energjisë dhe pajtimin që të mos pengohet rrugëtimi i njëri-tjetrit drejt integrimit në BE.

Zbatimi i neneve për ‘Asociacionin’ u përcoll me një marrëveshje tjetër të parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore që u pat arritur dy vjet më vonë, më 25 gusht të vitit 2015, nga kryeministrat e asaj kohe Mustafa dhe Vuçiq.

Kjo e fundit përfundoi në Gjykatë Kushtetuese në dhjetor të atij viti. Doemos, pasi që marrëveshja e vitit 2015 buronte nga ajo e vitit 2013, gjykata u mor me të dyja.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj tha se kompetencat e parapara për ‘Asociacionin’ sipas të dy marrëveshjeve, shkelnin parimet e kushtetutës, karakterin multietnik të shtetit dhe cenonin rëndë rendin juridik.

Pas këtij vendimi të Gjykatës ku ‘Asociacioni’ me fushëveprimin dhe kompetencat e parapara shkelte rëndë Kushtetutën, marrëveshja u shkel nga Serbia në nenet tjera të saj.

Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi.

Para 11 vjetëve u arrit një marrëveshje e cila, në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia.

Vitin e kaluar kemi arritur një Marrëveshje të Re Bazike e cila, në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’.

Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë.

Nuk mund të flasim e diskutojmë vetëm për ‘Asociacionin’:

– pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) me Aneksin e Zbatimit (Ohër, 18 mars 2023);

– pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel (neni 10 i Marrëveshjes Bazike);

– pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa-Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese.

E sot u bënë 11 vjet edhe nga zotimi i njëanshëm i ish-kryeministrit Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Serbisë) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë!

Qeveria jonë ka shumë më tepër probleme të trashëguara për progresin e Kosovës sesa sfida të kohës. E përkundër të gjitha atyre, po ia dalim me sukses.

source

Të ngajshme

OKB-ja vlerëson se rindërtimi i Gazës do të kushtojë deri në kaq miliardë dollarë

Donat Hashani

Projektligji për kriptoasetet dërgohet në Kuvend

Ndalohet reperi Arijan Sijarina, ishte në kërkim për tentim vrasjen në Kolovicë

Donat Hashani