Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar të premten për në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, është bërë e ditur në një njoftim për media nga Qeveria e Kosovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sonte për në Mynih të Gjermanisë, ku do të merr pjesë në Konferencën e Sigurisë. Kryeministri Kurti do të zhvillojë takime me liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh, pjesëmarrës në këtë konferencë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në këtë konferencë, kancerali gjerman Olaf Scholz ka folur për propozimin franko-gjerman për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Scholz tha se propozimi franko gjerman për Kosovën dhe Serbinë është pjesë e një përpjekjeje për t’u bërë më të fortë dhe më të aftë në aspektin gjeopolitik.
“Propozimi franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë është pjesë e një përpjekjeje për t’u bërë më të fortë dhe më të aftë në aspektin gjeopolitik, dhe si një aleat në komunitetin transatlantik”, thotë kancelari Scholz.
Të pranishëm janë po ashtu kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq ka takuar Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.
Përkundër se Vuçiq takimin e ka quajtur serioz dhe korrekt, ai, në përvjetorin e 15 të pavarësisë së Kosovës, ka thënë se Serbia ka në posedim edhe një notë tërheqjeje të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga një tjetër shtet.
Megjithatë Vuçiq ka thënë se nuk mund ta zbulojë shtetin deri më 23 ose 24 shkurt.
“Bisedimet ishin të mira, por asgjë e madhe nuk mund të ndodh. Duke e pasur parasysh të gjithë këtë, është mirë që ne shpjeguam pozicionin tonë. Ne kemi një dispozicion edhe një tjetër notë të tërheqjes së njohjes, por në pajtim me shtetin përkatës, do të presim deri më 23 ose 24 shkurt”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka theksuar se në takim me dy liderët e Bashkimit Evropian, ka biseduar edhe për dialogun me Kosovës dhe propozimin franko-gjerman.

