Kusari: Kosova po dështon të mbrojë gazetarët, të zbatohen obligimet ndërkombëtare e vendore
Në Ditën Ndërkombëtare kundër Pandëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve, juristja e mediave Flutura Kusari ka bërë thirrje për veprime konkrete nga institucionet e Kosovës, duke theksuar se shteti nuk ka përmbushur obligimet e tij për garantimin e sigurisë së gazetarëve.
Kusari ka kujtuar se Kosova është e detyruar të zbatojë Rekomandimin e Këshillit të Evropës CM/Rec(2016)4 për Sigurinë e Gazetarëve, përmes ndryshimeve ligjore dhe politike që lidhen me lirinë e shprehjes dhe të medias.
Ajo ka theksuar tri masa urgjente që duhet të ndërmerren:
Hartimi i një Plani Kombëtar për Sigurinë e Gazetarëve;
Themelimi i një Trupi Kombëtar Koordinues për Sigurinë e Gazetarëve;
Zbatimi i plotë i rekomandimeve ndërkombëtare në këtë fushë.
Sipas Kusarit, në pesë vitet e fundit, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë ndryshim ligjor apo politikë shtetërore për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve — përkundrazi, numri i sulmeve ndaj tyre është rritur.
“Shpresoj që sot gazetarët do t’ia kushtojnë 1-2 minuta kësaj tematike të rëndësishme”, ka shkruar ajo, duke apeluar për reflektim dhe veprim institucional për mbrojtjen e lirisë së shtypit në vend.

