Telenews

KUSH E QUAN KUJTESËN “PRAPAMBETURI”, NUK E KA KUPTUAR BALLKANIN

Shkruan, Meliza Haradinaj

Për vite me radhë, sa herë që kemi ngritur shqetësime për afrimin e Edi Ramës me Vuçiqin, për projektin e shkëmbimit të territoreve (lexo: ndarjes së Kosovës), për Ballkanin e Hapur, për emërtimin e veriut si “no man’s land”, për idenë e një protektorati të NATOs mbi veriun në vend të FSK-së, për draft statutin e Asociacionit të propozuar pa konsultim me Kosovën, për opedin e përbashkët me Vuçiqin, apo edhe për padinë absurde ndaj një Kryeministri të Kosovës, përgjigjja ka qenë gjithmonë e njëjtë:
“Ju nuk kuptoni. Ju nuk dini. Ju jeni provincialë. Ju shikoni nga e kaluara. Unë e shoh të ardhmen.”
Ky ka qenë thelbi i ‘paternalizmit’ të tij politik. Një bindje se vetëm ai e kupton historinë, diplomacinë dhe interesin kombëtar, ndërsa të gjithë ne të tjerët, në Prishtinë, Tetovë, Preshevë apo diasporë, duhet të heshtim dhe të ndjekim.
Sot e njëjta logjikë po përdoret për të arsyetuar hapjen e Konsullatës serbe në Shkodër. Na thuhet se shqiptarët fitojnë sepse mund të hapet një konsullatë shqiptare në Bujanoc, e se ne nuk po e kuptojmë rëndësinë! Një qëllim që vjen shumë vonë, sepse po të ishte marrë seriozisht çështja e shqiptarëve në Serbi gjatë gjithë këtyre viteve, sot nuk do të negociohej një konsullatë si shpërblim reciprok!
Po të ishte ngritur vazhdimisht e fuqishëm zëri, e po të sfidohej seriozisht Serbia për pasivizimin e adresave, për diskriminimin sistematik, për spastrimin administrativ, për mungesën e përfaqësimit institucional, për shkeljen e të drejtave elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, konsullata shqiptare atje do të ishte realitet prej kohësh.
Po të ishte ushtruar mbi Beogradin qoftë gjysma e presionit që është ushtruar ndër vite mbi Bashkimin Evropian për ta afruar Serbinë me Evropën, sot shqiptarët në Luginë nuk do të trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë. Për shqiptarët në Serbi nuk u dëgjua pothuajse asnjë alarm diplomatik serioz tash e sa vite. Për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian pati energji, lobim dhe ‘entuziazëm’ të pafund.
Kush e njeh mirë historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe e di se Beogradi nuk ka bërë asnjëherë koncesione si akt vullneti. Çdo e drejtë shqiptare është fituar me gjak e luftë, sakrificë, rezistencë, me presion ndërkombëtar, dhe me përballje.
Prandaj, të paraqesësh sot një konsullatë në Bujanoc si sukses diplomatik, pasi për vite të tëra ke ‘heshtur’ paturpësisht për gjendjen e shqiptarëve atje, është përpjekje për të shitur si fitore atë që ishte detyrim shtetëror e kushtetues shumë kohë më parë.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për ligjërata me ton superior. Nuk kanë nevojë për paternalizëm politik. Nuk kanë nevojë që dikush t’u shpjegojë historinë e tyre. Sidomos jo atyre që kanë kaluar shumë duke e vuajtur gjenocidin Serb, duke u marrë drejtpërdrejt me politikën agresive të Serbisë, me negociatat, me luftën diplomatike dhe me mbrojtjen e interesit kombëtar.
E historia do të jetë e pamëshirshme ndaj atyre që, me vetëdije, legjitimojnë narrativat e Serbisë, relativizojnë padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe i shërbejnë agjendave që dëmtojnë interesin tonë kombëtar.

Të ngajshme

Zbulimi i “The Guardian”-it: Kompanitë më të mëdha të naftës arkëtuan 93 miliardë dollarë mes luftës me Iranin dhe valëve vdekjeprurëse të të nxehtit

Yllka Gashi

Grahu automjetin me 212 km/h në rrugët e Shqipërisë, shoferi gjobitet me 4.300 euro

Yllka Gashi

Podujeva shembull i transparencës: Arrin 100 pikë në raportin e Institutit GAP

Yllka Gashi