Telenews

Kuvendi i Prishtinës mban seancë solemne për 27-vjetorin e Çlirimit të kryeqytetit

Në shënim të 27-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal i kryeqytetit ka mbajtur të enjten një seancë solemne kushtuar të rënëve për liri dhe rrugëtimit të Kosovës drejt shtetësisë.

Seanca nisi me një minutë heshtje për të nderuar veprën e të rënëve për liri.

Të pranishëm në seancë ishin asamblistë, anëtarë të Kuvendit dhe ish-komandant të luftës, ndër ta edhe Rrustem Mustafa – Remi, Latif Gashi e Fatmir Sopi.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, tha se kjo është një ditë krenarie, pasi liria u fitua me sakrificë të madhe, vuajtje dhe me çmimin më të lartë njerëzor.

“Kjo është një ditë krenarie, kujtese dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në rrugën e vështirë drejt lirisë së Kosovës, Sot 27 vjet pas çlirimit, Prishtina qëndron krenare si kryeqytet i Republikës së Kosovës dhe simbol i lirisë, demokracisë dhe shtetësisë, Kjo liri u fitua me sakrificë të madhe, me vuajtje dhe me çmimin më të lartë njerëzor. Në këtë ditë përulemi me respekt të thellë para dëshmorëve të kombit, martirëve, invalidëve të luftës, të gjithë atyre burrave dhe grave që sakrifikuan gjithçka për idealin e lirisë. Lavdia e tyre është e përjetshme dhe kujtimi për ta do të mbetet gjithmonë pjesë e ndërgjegjes tonë kombëtare”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se në këtë seancë simbolike takohet historia me të ardhmen.

“Jemi këtu në këtë seancë simbolike ku takohet historia me të ardhmen. Në anën tjetër kemi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me guxim, sakrificë e besim e sollën lirinë e në anën tjetër kemi institucionet e krenarisë sonë, kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, zjarrfikësit dhe të gjithë punëtorët që çdo ditë i shërbejnë kryeqytetit dhe qytetarëve të tij. Kjo pamje është dëshmia më e bukur e rrugëtimit tonë nga rezistenca te shtet ndërtimi, nga lufta për liri te përgjegjësia për ta mbrojtur dhe forcuar atë. E gjithë kjo zhvillohet në praninë dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it, dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që për 27 vjet kanë qenë garanci e sigurisë, stabilitetit dhe sovranitetit të vendit tonë. Mirënjohja jonë për ta është e përjetshme, faleminderit. Por, Dita e Çlirimit nuk është vetëm ditë feste, është ditë përgjegjësie. Përgjegjësia jonë sot nuk është ta fitojmë lirinë, atë e fituan ata që sakrifikuan gjithçka. Përgjegjësia jonë është të ndërtojmë një shtet, një kryeqytet të denjë për atë sakrificë”, tha Rama.

E ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi kujtoi ditën e çlirimit duke thënë se UshtriaÇlirimtare e Kosovës ishte dobët e armatosur por kishte zemër të madhe.

Ai tha se më 11 qershor 1999, lufta për liri po kurorëzohej me hyrjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me fillimin e vendosjes së trupave të NATO-s në Kosova, ishte dita kur liria në Kosovës po bëhej e prekshme.

“Çlirimi i kryeqytetit dhe të gjithë Kosovës përmes luftës çlirimtare dhe zbarkimit të NATO-s në Kosovë, nuk është një tregim për të kaluarën tonë të lavdishme, mirëpo edhe udhërrëfyes për të ardhmen dhe drejtimin strategjik që duhet të ndjek Kosova. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ushtri e vogël, dobët e armatosur por kishte zemër të madhe dhe kishte vizion që u bë realitet më 11 qershor. Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti të bëj aleancë me shtetet më të fuqishme demokratike dhe të sjellë lirinë për popullin e Kosovës. Ky është mësim për të ardhmen dhe dëshmi që Kosova gjithmonë ka ecur përpara dhe është bashkuar me botën demokratike. Çlirimi nuk ishte vetëm largimi i forcave pushtuese, çlirimi ishte rikthimi i dinjitetit njerëzor, ishte e drejta për të menduar lirshëm, për të folur lirshmen dhe për të jetuar pa frikën e persekutimit”, tha Mustafa.

Sot mbushen 27 vjet nga tërheqja e forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb.

Ushtria serbe u dorëzua nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare në tokë dhe bombardimeve të NATO-së që e detyruan të nënshkruajë marrëveshjen e kapitullimit më 9 qershor 1999 në Kumanovë.

Të ngajshme

KEDS-i jep detaje mbi matësit e energjisë, që u dogjën në lagjen Dardania

Rrezarta Ramaj

Në Javën e Lëvizjes, Vetëvendosje nderon kujtimin e Arbënor Deharit

Rrezarta Ramaj

Guerot: Lojërat Mesdhetare, rast që Kosova të dëshmohet para botës

Rrezarta Ramaj