Pas më shumë se tetë orësh diskutim ka përfunduar seanca e së premtes në Kuvendin e Kosovës. Në këtë seancë ishte i ftuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për të raportuar në Kuvend për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
Partitë opozitare kanë kritikuar dhe akuzuar shefin e ekzekutivit se i njëjti ka pranuar asociacionin, që dikur e kundërshtonte.
Kryeministri Kurti duke iu përgjigjur deputetëve, ka thënë se nuk e ka pranuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe kurrë nuk do ta nënshkruajë draft-statutin, pasi ai do të duhej të jetë pako së bashku me marrëveshjen bazike dhe aneksin e zbatimit.
Sikur në filma: Policia publikon videon e përleshjes me hajnat në “Hib Petrol”
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, vlerësoi se kryeministri Kurti nuk ka ditur ta menaxhojë dialogun me Serbinë.
“Po themi po ashtu se përfundimi në një situatë ku ne jemi bërë pjesë e një marrëveshje bazë e jo përfundimtare; pa njohje de jure, dhe me autonomi të gjerë për serbët në Kosovë, është përfundim katastrofal.” – ka thënë Abdixhiku.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së përmendi se Kurti ka pranuar Asociacionin, të cilin dikur e kundërshtonte ashpër.
“Lej ato frazat pa nënshkrim, s’ka pranim, ka zbatim. O Albin, o trim, si me nënshkrim, si pa nënshkrim, ti ke bo pranim, kjo po shihet. Tash kë ke dal me mashtru ti? Këta (deputetët e VV v.j.)? Këta i mashtron lehtë, por neve nuk mundesh me na mashtru” – tha Krasniqi.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kritikoi kryeministrin Kurti që s’po e ndan draftin për Asociacionin të propozuar nga emisarët perëndimorë, duke thënë se një gjë e tillë mund ta favorizojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Me dashje apo pa të, Albin Kurti po i bën favor Aleksandar Vuçiqit, duke mos shpalosur informacione dhe duke i mbajtur në raportin konfidencial informatat” – tha ai.
Kurti ndërkaq, disa herë tha se nuk mund të bëjë të ditura detaje nga draft statuti i Asociacionit, pasi pesë emisarët kërkuan një gjë të tillë.
Kah fundi i seancës, deputetët e opozitës nuk lejuan që Kurti të përfundojë fjalën e tij.
“E para, unë nuk kam thënë formalizim i Kushtetutës, por formalizim i ekzistueses… Kryetar, a mund bre kryetar, se për besë…Unë mund t’u jap dije e informacion, por jo edukatë.” – tha ai fillimisht.
Kurti e vazhdoi fjalën, por përsëri u ndërprit: “Kryetar, kryetar, kryetar…duhet të ndalet”.
Shefi i Qeverisë nuk la pa e përmendur edhe një herë letrën që ish-kryeministri Hashim Thaçi ia kishte dërguar shefit të NATO-s në vitin 2013, për mosdërgimin e FSK-së në veri pa leje të KFOR-it.
Kurti në Kuvendin e Kosovës ka thënë se ajo letër është “katastrofë”.
“Ajo që e tha ministri Aliu, kufirin e kemi shumë të gjatë me Serbinë. Në Leposaviq, e në Zubin Potok e Zveçan, duhej me e ru ushtria, por më 19 prill 2013, kryeministri Thaçi ia ka dërgu një letër ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, që FSK-ja s’e kalon Ibrin. Katastrofë është qajo letër, unë jam i kushtëzum në raportet me NATO-n për shkak të asaj letre.” – tha ai.
“Trego a është gabim a në rregull qajo letër, kufirin nuk ta mbron policia si ushtria. Mos të ishte ajo letër, ne e kishim pas FSK-në në veri, nuk e kemi, por na duhet me këto vegla e mjete ta bëjmë maksimumin.” – shtoi tutje Kurti duke iu drejtuar deputetit të PDK-së, Ferat Shala.
Në fund të seancës, kryeparlamentari Glauk Konjufca njoftoi se kanë mbetur edhe 11 pika nga seancat e kaluara për mbajtjen e të cilave, do të njoftohet ditëve në vijim.
Pas deklarimeve të deputetëve të pozitës dhe opozitës, ka përfunduar seanca, ndërkohë që kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se për 11 pikat e mbetura do të caktohen për një seancë tjetër./Telenews/