Telenews

LDK: Rënia në indeksin e lirisë së shtypit një alarm që duhet të na mobilizojë të gjithëve

Pas rënies për 19 vende të Kosovës në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se kjo radhitje nuk është vetëm një sinjal përkeqësues, por alarm.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson tejet shqetësuese që Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, e gjen Kosovën me një raport të ri alarmues, atë të “Reporterëve Pa Kufij”, i cili njëjtë si tre raportet e fundit, “Raportit të Progresit”, “Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit” dhe “Freedom House”, që flisnin për kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, ngjashëm edhe ky i fundit alarmon. Veçse në masë më të madhe, duke raportuar se Kosova shënoi rënie për 19 vende në indeksin vjetor për lirinë e medies, duke u renditur në vendin e 75 nga 56 sa ishte vitin e kaluar. Ky raport na ka rikthyer në një korridor të errët të censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes dhe të mediave. Ky nuk është thjesht një sinjal përkeqësues; është një alarm që duhet të na mobilizojë të gjithëve”.

“Ky raport i cili përfshin Kosovën në grupin e vendeve, ku mjedisi i medias është “problematik”, thotë se, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike, flet për rregullatorin joefikas të medieve, për tentim mbylljen e televizionit Klan Kosova, dhe për emërimin e militantit të partisë në pushtet si drejtor i transmetuesit publik”.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se e sheh alarmuese këtë raport, i cili flet për ambientin tejet shqetësues të të bërit gazetari në Kosovë.

“Sepse, sot në këtë ditë botërore duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rëndësinë jetike të një shtypi të lirë dhe të pavarur, që është themeli i çdo demokracie të shëndetshme. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson po ashtu se demokracia nuk mund të mbijetojë në heshtje. Për një shoqëri që dëshiron të avancojë, duhet një media e lirë që sfidon, pyet dhe kërkon llogari. Prandaj, kjo situatë na bën të vetëdijshëm për sfidat që na presin dhe nevojën për të vazhduar punën me përkushtim të dyfishtë, për të mbrojtur dhe avancuar këto liri themelore”.

Në këtë Ditë Botërore të Shtypit, LDK tha se do të angazhohet të rrisë përpjekjet në mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të sigurojë një mjedis më të sigurt dhe më inkurajues për gazetarët në Kosovë.

“Le të mos lejojmë asnjë kufizim të na ndalojë nga synimi ynë i përditshëm për një shoqëri më të lirë dhe më transparent”.

source

Të ngajshme

Haradinaj për Masakrën e Tusuzit: Dëshmi e gjallë e barbarisë serbe mbi civilë të pafajshëm

Në pritje të hapjes së shkollës në Obrançë të Podujevës, prindërit kërkojnë transport për fëmijët

Peci njofton për nisjen e vaksinimit kundër tërbimit të kafshëve