Delegacionet diplomatike dhe krerë të shteteve nga 13 vendet e Evropës Juglindore kanë qëndruar të enjten në Shkup, për të përmbyllur përfundimin e mandatit njëvjeçar, të udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
Nisma ka për qëllim që të avancojë bashkëpunimin mes shteteve në fushën e sigurisë, ekonomisë, të drejtave të njeriut, por edhe demokracisë.
Po ashtu, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore.
Ajo ka shpërndarë një fotografi familjare që u realizua në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
“Në Shkup për Samitin e SEECP, së bashku me liderët e tjerë dhe përfaqësuesit nga rajoni”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Siç thuhet në njoftimin e Presidencës, në këtë samit, Osmani iu bashkua krerëve të shteteve pjesëmarrëse për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon.
Osmani takohet me presidenten maqedonase, flasin për raportet mes dy shteteve
Gjatë qëndrimit në Shkup, Osmani ka takuar homologen e saj maqedonase, me të cilën ka diskutuar për raportet bilaterale Kosovë-Maqedoni e Veriut dhe thellimin e bashkëpunimit.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili ishte edhe kryesues i këtij procesi, hapi takimin ministror, në te cilin, megjithatë shumica e vendeve u përfaqësua me zëvendësministra, sekretarë shtetërorë dhe ambasadorë.