Trajneri i ri i Liverpoolit, Andoni Iraola, raportohet se tashmë ka filluar të formulojë planet e tij për afatin kalimtar, duke përfshirë edhe një lojtar nga ish-ekipi i tij, Bournemouth.
Iraola u prezantua së fundmi si drejtues i ri i “Reds”, duke zëvendësuar Arne Slot. Detajet e kontratës së tij nuk janë bërë publike, por mediat raportojnë se bëhet fjalë për një marrëveshje dyvjeçare.
Sipas raportimeve, ai po kërkon të forcojë skuadrën me një lojtar që e njeh mirë nga periudha e tij e mëparshme, konkretisht anësorin brazilian Rayan, i cili u bashkua me Bournemouth nga Vasco da Gama në janar.
19-vjeçari është përshtatur shpejt me Premier League, duke shënuar disa gola në paraqitjet e tij të para, dhe forma e tij e mirë i ka siguruar edhe ftesë në përfaqësuesen e Brazilit, e drejtuar nga Carlo Ancelotti për Kupën e Botës.
Megjithatë, transferimi i tij mund të mos ndodhë menjëherë, pasi Bournemouth nuk pritet të heqë dorë nga lojtari gjatë kësaj faze të sezonit, dhe një lëvizje eventuale mund të shtyhet deri në janar.
Ndërkohë, Liverpooli po monitoron edhe sulmuesin Eli Junior Kroupi, por për të ka interes të madh edhe nga rivalët e Premier League, përfshirë Arsenal dhe Manchester City.
Sipas Fabrizio Romanos, këto klube kanë bërë tashmë pyetje për situatën e 19-vjeçarit, pas sezonit të tij të mirë me gola.
Liverpooli po ashtu po e ndjek nga afër edhe talentin e RB Leipzig, Yan Diomande, i cili ka impresionuar në Bundesligë dhe po shihet si një tjetër opsion i mundshëm, edhe pse për të interesim ka shprehur edhe Paris Saint-Germain, skuadra që ai e ka mbështetur që në fëmijëri.

