Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se në rast të një vendimi të pafavorshëm në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, Kosova mund të përballet me rrezik të shtuar nga Serbia.
Në një deklaratë për Tëvë1, Lushtaku ka thënë se Parlamenti i Kosovës do të duhej t’ua mundësonte qytetarëve të pajisen me leje për armatim.
“Në rast të një vendimi të tillë në Hagë, unë besoj që Parlamenti i Kosovës do të duhej të lejojë çdo qytetar që të ketë leje për armatim, sepse me të vërtetë atëherë Kosova do të jetë në rrezik dhe vetëm Ushtria dhe Policia e Kosovës, që janë djemtë dhe vajzat më të mira të këtij vendi, ndoshta nuk mund të përballen vetëm me rrezikun që mund ta ketë nga Serbia”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai ka theksuar se bëhet fjalë për mendimin e tij personal dhe se deklaratën e ka dhënë “ndoshta pak në emocion”.

