Telenews

Mbyllet QMF-ja në “Kalabri”, qytetarët ankohen: Na kanë marrë në qafë – komuna jep detaje

Erzana Fazliu

Mbyllja e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF-IX) në “Kalabri” për shkak të renovimit, që parashihet të zgjasë deri në tre muaj, ka krijuar shqetësim tek qytetarët e kësaj rrethine në kryeqytet.

Ani pse Komuna e Prishtinës ka dalë me njoftim disa ditë para mbylljes, ata thonë se nuk janë informuar për një gjë të tillë.

Qytetarët e “Kalabrisë” e konsiderojnë sfidë mbylljen e kësaj qendre dhe vizitën nëpër QMF-të e tjera të kryeqytetit.

Isuf Ahmeti për KosovaPress thotë se për shkak të moshës dhe lëvizjes së shpeshtë të veturave do ta ketë të vështirë të shkojë për vizitë në QMF-të e tjera të kryeqytetit.

Po ashtu, edhe Bajram Çitaku potencon se nuk ka qenë i informuar për mbylljen e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen e tij, e cila u bë me 3 qershor.

 

Mos marrjen e shërbimeve për shkak të renovimit përgjatë tre muajve, Çitaku e konisderon si dëm të madh për qytetarët.

Shaban Kolaj tregon se për shkak të moshës së shtyrë, ka nevojë që të vizitohet tek mjeku më shpesh, derisa shpreson që riparimi i kësaj qendre të bëhet sa më shpejtë.

Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku thotë se mbyllja e QMF-së në “Kalabri” është bërë për shkak të nevojës për renovim.