Një nga mediat më të mëdha në Serbi, Kurir, i ka kushtuar një artikull të veçantë basketbollistit me origjinë shqiptare, Erxhan Osmani, pas paraqitjes së tij madhështore në gjysmëfinalen e Eurobasket 2025, ku Turqia triumfoi bindshëm ndaj Greqisë me rezultat 94:68.
Osmani ishte lojtari më i dalluar i përfaqësueses turke, duke regjistruar 28 pikë, 6 kërcime dhe 2 asistime, në atë që mediat e kanë quajtur ndeshja e karrierës së tij.
Kurir ka theksuar historinë e veçantë të Osmanit, i cili lindi në Bajram Curri (Tropojë) të Shqipërisë, ndërsa hapat e parë në basketboll i mori në Prizren, tek klubi Junior 06 me trajner Ramush Rushitin. Nga aty, talenti i tij u vu re nga skautët turq dhe në moshën 15-vjeçare ai u transferua në Turqi, ku nisi rrugëtimin e madh.
Pas eksperiencës me Banvit Bandirmën deri në vitin 2020, Osmani luajti për Beşiktaşin, më pas për Darüşşafaka-n, derisa arriti tek Anadolu Efes, një nga klubet më të njohura në Evropë.
Më 2021 ai mori lejen nga FIBA për të përfaqësuar Turqinë, duke u bërë që atëherë pjesë e rregullt e kombëtares. Federata e Basketbollit të Turqisë atëkohë e cilësoi përfshirjen e tij si një forcim të rëndësishëm për ekipin kombëtar.
Suksesi i tij në Eurobasket ka bërë jehonë në rajon, duke e vendosur Osmanin në qendër të vëmendjes si një prej lojtarëve kryesorë të Turqisë në rrugëtimin drejt finales. /AsistiOnline.com/