Ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak ka deklaruar se Kosova ka shënuar zhvillime të mëdha në ndërtimin e infrastrukturës dhe institucioneve, por ngecja në mendësinë e pasluftës dhe mungesa e kompromisit po e pengojnë rrugëtimin drejt integrimit evropian.
Dvorak, i cili ka qenë administrator i Kombeve të Bashkuara në Istog pas luftës, ka thënë se sfidë e madhe për Kosovën mbetet mungesa e dialogut me komunitetin serb dhe retorika e ashpër që, sipas tij, po dëmton perceptimin e vendit në Bashkimin Evropian.
“Retorika agresive dhe mungesa e vullnetit për dialog me serbët po dëmtojnë imazhin e Kosovës në Bashkimin Evropian.”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai bën thirrje për qetësim të situatës dhe rifillim të dialogut me Serbinë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit për të ecur drejt integrimit në familjen evropiane.
“Pa kompromis nuk ka anëtarësim në BE.”, tha ai.
Martin Dvorak është autor i librit “Kosova nën lëkurën time” dhe mban statusin e qytetarit nderi në komunën e Istogut. Ai kishte shërbyer si administrator i UNMIK-ut në Istog nga viti 1999 deri më 2002, periudhë gjatë së cilës ka udhëhequr procesin e rindërtimit në Istog, Gjakovë dhe Pejë.