Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se në Kosovë nuk ekziston asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës.
Përmes një reagimi në Facebook të martën, ministrja Mimoza Kusari-Lila bëri të ditur se, sipas të dhënave të mbledhura nga subjektet që merren me importin dhe tregtimin e derivateve, stoqet janë në nivel të rregullt dhe brenda normave të zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
Ministrja reagoi pas komenteve të kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili kritikoi vendimin e MINT-it për vendosjen e çmimit tavan për derivatet e naftës. Berjani kishte theksuar se operatorët po detyrohen të importojnë naftë përmes kompanive nga Shqipëria për të shmangur mungesat në furnizim.
“Në bazë të të dhënave nga operatorët e tregut, furnizimi është i qëndrueshëm dhe nuk ka ndërprerje. Qytetarët nuk kanë arsye për panik ose për krijimin e rezervave të panevojshme të karburanteve”, theksoi Kusari-Lila.
Në njoftimin e Ministrisë thuhet se furnizimi në treg është stabil dhe nuk ka ndërprerje, prandaj qytetarët nuk kanë arsye për panik apo për krijimin e rezervave të panevojshme të karburanteve.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit po monitoron në vazhdimësi zbatimin e vendimit për marzhën e fitimit, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është i angazhuar maksimalisht në terren për të siguruar respektimin e këtij vendimi dhe mbrojtjen e konsumatorëve.”, thuhet tutje në njoftim.

