Pas përfundimit të numërimit të votave në Konsullata, tani në proces është numërimi i votave me postë nga diaspora, ku për 35.64 për qind ka përfunduar numërimi.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se nga votat e numëruara deri tani ka një performancë pozitive për të LDK-së, ndërsa e dobët e PDK-së. Siç thotë ai VV ani pse është e para me votat me postë, është shumë larg përkrahjes në përfaqësitë diplomatike.
Nga votat e numëruara deri tani, Cakolli i IKD-së thotë se projeksionet e ndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës janë, VV afër sigurimit të 49 mandateve, mirëpo sipas tij për të arritur këtë duhet të fitojë mbi 60 për qind të votave me postë, dhe se mund të arrijë edhe 50 mandate nëse merr 70 për qind të votave me postë.
LDK-ja mund të arrijë t’ia marrë një mandat PDK-së nëse vazhdon të përformojë mirë në votat me postë, dhe mund të arrij të marrë 21 mandate, dhe nëse LDK vazhdon rritet, atëherë kjo mund të ndikojë edhe në gjasat e VV-së për të marrë 49 mandate.
Cakolli i IKD-së thotë se nga të dhënat e votave të numëruara deri tani, PDK është në zonë kritike mes 23, 24 dhe 25 mandateve, pasi aktualisht është në 24 mandate, por është gati ta humb një.
Madje, nëse VV vazhdon të ketë rritje nga votat me postë, PDK mund të humbas edhe një tjetër.
“Për t’i pasur 25 mandate, PDK-ja duhet t’i ketë mbi 13% të votave me postë – që është gati dyfishi i përqindjes që ka tash”.
“Pavarësisht këtyre projeksioneve, rezultati përfundimtar mbetet i hapur, pasi numërimi i votave me postë ka treguar se preferencat ndryshojnë në varësi të komunave. Në këtë fazë të fundit, çdo ndryshim i vogël në votat e mbetura mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve”, shkruan Cakolli.
/Reporteri.net/
The post Mirë për VV’në, e keq për PDK’në – kështu mund të duket Kuvendi i ri bazuar në votat e numëruara deri më tash first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.