Ish-banori i “Big Brother VIP Albania 5”, Miri (Armir Shahini), është ribashkuar sot me familjen e tij, duke i dhënë fund zërave që qarkulluan në rrjet për një “krisje” në martesën e tij pas daljes nga shtëpia.
Në Instastory, Miri ka ndarë një video emocionuese nga momenti i takimit, ku shihet duke përqafuar vajzën e tij, ndërsa vëmendja e ndjekësve u përqendrua edhe te prania e bashkëshortes së tij, Rabea, e cila ishte komentuar gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në reality-show.
Nga pamjet e publikuara, duket se mes çiftit nuk ka hatërmbetje, pasi në takimin e parë ata shfaqen të afërt dhe madje shkëmbejnë edhe një puthje në buzë, duke treguar se marrëdhënia e tyre mbetet e njëjtë.

Ndërkohë, edhe Rabea ka reaguar në mënyrën e saj, duke postuar në Instagram një selfie pranë Mirit, ku të dy duken të qeshur dhe të relaksuar. “Ju përshëndesim”, ka shkruar ajo mbi foto, duke e shoqëruar me një emoji zemre. Detaj interesant ishte edhe kënga e vendosur në prapavijë: hiti i West Side Family, “Në krahët e tua do jem”, një mesazh i thjeshtë, por i qartë, për harmoninë e çiftit.
Ky ribashkim vjen vetëm pak ditë pasi Miri kishte sqaruar publikisht “ftohtësinë” e perceptuar nga publiku gjatë dhe pas finales së spektaklit, duke theksuar se mungesa e bashkëshortes nuk kishte lidhje me asnjë problem mes tyre. Ai u shpreh se arsyeja ishte krejt praktike: angazhimet e saj në Gjermani, ku jeton dhe punon.
Kujtojmë se Miri arriti deri në finalen e madhe të “BBVA5”, duke u renditur i dyti në përfundim të garës. Tashmë, me postimet e fundit, çifti duket se ka lënë pas presionin e formatit dhe komentet e rrjeteve sociale.

