Me rastin e 15 vjetorit të Ditës së Pavarësisë, sot në Bulevardin “Nënë Tereza” dhe Sheshin “Zahir Pajaziti”, kuadratet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me ato të Policisë së Kosovës, parakaluan para qytetarëve.
Ceremonia e parakalimit, u realizua me urdhrin e Komandantit Suprem të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Presidentes së Republikës Vjosa Osmani.
Osmani, i ka quajtur pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ushtarët FSK-së dhe Policisë së Kosovës. Në parakalimin e Trupave të Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, Osmani ka thënë se Kosova është e shenjtë dhe si e tillë duhet të ruhet.
Presidentja Osmani ka thënë se periudha nëpër të cilën po kalon Kosova ka shumë sfida, shkaku i krizave globale.
“Vajzat dhe djemtë e policisë sonë do të parakalojnë edhe në sheshin e Ibrahim Rugovës, i cili po na shikon nga lart dhe është shumë krenar. Këta vajza e djem janë pasardhësit e UÇK-së që e mbrojtën dhe e formuan shtetin tonë. Një falënderim shumë i madh shkon edhe për miqtë tanë. Faleminderit ShBA-së, aleatit tonë të përjetshëm. Faleminderit të gjitha shteteve të NATO-s dhe shteteve tjera mike të Kosovës”, tha Osmani.
/Telenews.al/



